Friday, November 22, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREMashtrimi me Sazanin

Mashtrimi me Sazanin

Ka një përpjekje të qëllimshme për ta devijuar polemikën për investimin e dhëndrit të Trump, Jared Kushner dhe ish ambasadorit të tij Richard Grenell, drejt një rruge qore. Pothuajse në të gjitha debatet e mbrëmjes has idiotë të dobishëm që ngazëllehen se erdhi dita që dhe Shqipëria të ketë investime të këtyre përmasave. Ka nga ata që thonë: më mirë para nga Amerika, sesa nga Rusia apo Kina. Madje ka dhe palaço që shesin sapunin për djathë, duke paraqitur si sukses faktin se ky projekt doli dhe ne New York Times, ndonëse artikulli i gazetës amerikane bënte aludime të hapura për një aferë korruptive.

Pikërisht këtu qëndron problemi. Përpara se biem në kurthin që na serviret: “a je pro apo kundër një investimi të huaj”, ne duhet të ngremë pyetjen, nëse ato pak gjëra që dimë për Sazanin dhe Zvërnecin, mund të quhen vërtet të tilla.

Me shumë gjasa, në vend që të jetë një mrekulli e inisiativës së lirë, ajo që Rama dhe enturazhi i familjes Trump kanë përgatitur, është një pazar i fëlliqur lobimi politik.

Për këtë nuk ka nevojë ti besosh ‘kazanëve’ apo ‘kadrinjve’ shqiptarë. Edhe New York Times edhe Newsweek edhe Frankfurter Allemegne Zeitung tregojnë hapur dhe me fakte kulisat mbi të cilat është ngritur ky spekullim miliardësh. Ato vënë re se edhe në Sazan edhe në Beograd, ku synohet të ndërtohet mbi ish ndërtesën e bombarduar të shtabit të përgjithshëm, investimi është përzgjedhur të ngrihet mbi prona shtetërore. Pra është e qartë se nuk kemi të bëjmë me magjinë e tregut, po me ish zyrtarë që mëtojnë të rikthehen në pushtet në SHBA dhe vasalë ballkanikë që janë të gatshëm ti falin gjithçka atyre për të forcuar pushtetin personal.

Shtypi perendimor e bën fare të qartë se të gjitha bizneset e dhëndrit të preferuar të Trumpit janë fokusuar me monarkitë naftë mbajtëse të gjirit persik, pikërisht aty ku ai ka luajtur si këshilltar i shtëpisë së bardhë, për të ç’tensionuar mardhëniet me Izraelin në kuadrin e “marveshjeve të Abrahamit”. Edhe më sterrë është C.V. e ambasadorit Grenell, i cili njihet prej kohësh si lobist politik në favor të diktatorëve. Ai ka përkrahur dikur autokratin moldav dhe atë nigerian, pa përmendur se opozita serbe e ka akuzuar se paguhet nga regjimi i Vuçiçit, në këmbim të mbështetjes që jep kundër Kosovës. Presidenti serb jo vetëm e ka dekoruar Grenellin me urdhrin më të lartë, atë që i ka dhënë edhe Putinit, por në kulmin e sulmit terrorrist në Banjskë, ish ambasadori guxoi të fajësojë shqiptarët, duke deklaruar se janë ata që shkelin të drejtat e serbëve në Veri.

Ndërsa emri i Grenellit është përmendur shpesh në aventurën e ndarjes së Kosovës, po të kërkosh në arkiva, vëren se gazeta Le Monde e ka përmendur edhe kollovarin politik Kushner, si të përfshirë në projektin e shkëmbimit të territoreve, në vitin 2018.

Ndoshta është një koincidencë e llahtarshme, por të njëjtët njerëz që luanin me harta gjashtë vite më parë, tani kanë vendosur të bëjnë biznes. Ashtu si Alabari që zbarkoi nga brigjet e Savës në ato të Adriatikut edhe Grenelli dhe Kushneri kanë mbëritur tek Rama, menjëherë pas kanë mbyllur paktin me Vuçiçin. Gjithkush është i lirë të besojë se këto janë rastësi fatlume dhe se këtu s’kemi pse dyshojmë për një lojë që i ka fijet në Beograd.

As unë nuk dua të bie pre e teorive konspirative, që përfundojnë të gjitha me dilemën mes patriotëve dhe tradhëtarëve, por renditja e këtyre fakteve është e vlefshme për të kuptuar se kjo aferë nuk ka asgjë të përbashkët me bisnesin normal, investimet e huaja, tregun e lirë dhe zhvillimin e turizmit. Ajo është tjeshtë një allishverish për qëllime politike. Kështu na tregon shtypi perendimor se janë mësuar të punojnë Kushner dhe Grenell, kështu e dimë se veprojnë Vuçiçi dhe Rama. E sikur mos të mjaftonte kjo, kryeministri ynë nuk nguroi të na japë edhe shembullin konkret. Vetëm tani ne e kuptojmë se pse u ndryshua, në kundërshtim me udhëzimin e BE-së, ligji për zonat e mbrojtura duke i hapur rrugë ndërtimeve edhe aty. Vetëm tani ne marrim vesh se pse u shty afati për të përfituar nga ligji i për investitorët strategjik. Asgjë tjetër nuk mund të shpjegojë se si ka mundësi, që Edi Rama jep visto nga sambleja e PS, për parajsën që Kushner dhe Grenell do ngrenë në brigjet e Vlorës, ende pa e nxjerë nga plani i shpërndarjes shtabi i përgjithshëm dhe ende pa e firmosur komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura.

A ka një investim më politik sesa kaq? A ka lidhje më të shkurtër mes interesave të lobuesit dhe atij që përfiton financiarisht prej tyre?

Ky besoj se është një rast që duhet studiuar në shkolla, njësoj si marrëveshjet që Jared Kushner bën me diktaturat naftëmbajtëse, ku monarkët e gjirit persik i falin pasuri me urdhrin e tyre personal.

Prandaj, sa herë dëgjojmë që debati zhvendoset në tema pa lidhje, se sa ka ecur turizmi, sa është zhvilluar Vlora, sa mirë që ia arritëm kësaj dite për investime amerikane, duhet ta kuptojmë se po na mashtrojnë. Ata që ngrenë këtë tymnajë ose janë idiotët e dobishëm që nuk arrijnë të shohin të vërtetën, ose janë lëpirësit e zakonshëm që duan të mbulojnë grabitjen. Ata bëjnë sikur flasin për biznes dhe investime, për të fshehur pazarin e radhës, që reket të instalojë një autokraci, duke falur llokma Shqipërie.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME