Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka folur mbrëmjen e kësaj të enjteje për raportin e saj me Ilir Metën. E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryemadhi është shprehur se ka këndvështrime ndryshe nga Meta, po ai nuk mund t’ia heqë dot asaj të drejtën për të shprehur mendimin e saj.
“Mendimet e mia do të jenë të drejtpërdrejta. Unë kam këndvështrim ndryshe sa i përket strukturimit të partisë. Nuk po them që kur kam drejtuar LSI-në kam shkëlqyer edhe të drejtën për të shprehur mendimin tim nuk mund të ma heqë dot. Nuk ka konflikt por një sjellje që ka marrë nga këshilltarët e gabuar”, – tha Kryemadhi.
Ajo u pyet edhe për deklaratat e Metës se në Partinë e Lirisë ka pasur përgjues, por Kryemadhi tha se kjo nuk është e vërtetë.
“Nuk është përgjimi në Partinë e Lirisë problemi i shqiptarëve. Ilir Meta nuk ka qenë në zyrë. Nuk është përgjuar asnjë person” – tha Kryemadhi.
Kryemadhi tha se në mbledhjen e Kryesisë së partisë nuk ka patur diskutime me tone të larta, por theksoi se ajo nuk është as personazh që të aprovojë çdo gjë që thotë kryetari. Sipas Kryemadhi, debati në Partinë e Lirisë, siç përmend Meta për “cimkaxinj”, ka nisur pas sulmit hakerues disa javë më parë të kompjuterave në selinë e partisë. Denoncimin që bëri vetë Meta në organet ligjzbatuese për këtë çështje, Monika Kryemadhi e konsideron si paçavure.
“Nuk mendoj që ka konflikt, ka një sjellje ndryshe të këshilltarëve të gabuar që ai ka mbledhur. Këto janë debate që unë i kam bërë në mbledhjen e Kryesisë. Nuk ka qenë mbledhje e tensionuar. Debati që Monika Kryemadhi di të bëjë gjithmonë, nuk bën debat duke thënë po shefi, Monika bën debat duke treguar që debati ka filluar me atë paçavuren e famshme të denoncimit që është firmosur nga z.Meta përsa i përket serverave.
Debati është edhe për shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë sa i përket meritokracisë, angazhimit, funksionimit të strukturave, marrjes së përgjegjësisë. Unë nuk mendoj që një parti politike është thjesht like dhe share në Facebook. Struktura e një partie politike është kontakti fizik i drejtpërdrejt me njerëzit. Ajo paçavure e firmosur nga Ilir Meta është një…” – tha Kryemadhi.