Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeBOTAKryeministri sllovak në koma/ Del dëshmia e autorit: Nuk më pëlqen politika...

Kryeministri sllovak në koma/ Del dëshmia e autorit: Nuk më pëlqen politika e tij

Kryeministri sllovak Robert Fico është mes jetës dhe vdekjes pasi u qëllua me armë nga një 71-vjeçar teksa ndodhej në një qytet në Sllovakinë qendrore. Sulmi ndaj kryeministrit populist dhe pro-rus, i cili u rikthye në detyrë që nga tetori, ka ngjallur një valë indinjate dhe tronditjeje në nivel ndërkombëtar, nga presidenti amerikan Joe Biden tek presidenti rus Vladimir Putin si dhe liderëve të BE-së që flasin për një “sulm ndaj demokracisë”.

Fico mori në trup 3 nga 5 plumbat e sulmuesit. Dy i ka marrë në krah dhe një në bark. Sulmi ndodhi përpara një qendre kulturore në Handlova, një qytet rreth 200 km në lindje të kryeqytetit Bratislava, ku kryeministri sapo ishte mbajtur një mbledhje e qeverisë.

Fico u transportua urgjentisht me helikopter në spitalin Roosevelt në Banska Bystrica, rreth 35 km ku fillimisht u shtrua në një njësi të kirurgjisë vaskulare dhe më pas iu nënshtrua një operacioni. Transportimi për në Bratislavë u konsiderua mjaft i rrezikshëm për momentin pasur parasysh gjendjen e tij të rëndë.

Sipas televizionit TA3, kryeministri ndodhet në koma farmakologjike pas operacionit, i cili zgjati 4 orë. Tani, thonë mjekët, “gjithçka do të varet nga gjendja e tij fizike dhe aftësia e tij për t’u bërë ballë lëndimeve”. Zëvendëskryeministri i Sllovakisë, Tomas Taraba tha se është optimist: “Fatmirësisht, me sa di unë, operacioni shkoi mirë dhe besoj se në fund do të mbijetojë”. Të shtënat nuk kanë dëmtuar arteriet kryesore.

Sulmuesi, i cili fshihej mes turmës së mbledhur para ndërtesës së mbledhjes, bërtiti “Robo, eja këtu” para se të qëllonte. Dy video të publikuara në internet tregojnë momentin e ngjarjes.

Mediat sllovake raportojnë se i moshuari, Juraj Cintula, qëlloi me një armë që kishte me leje. Ai kishte punuar në vitin 2016 “për një shërbim privat sigurie” ndërsa kishte botuar “disa koleksione me poezi” si dhe një roman dhe gjithashtu kishte mbledhur nënshkrime për të themeluar një “lëvizje kundër dhunës”.

“Qëllova sepse nuk jam dakord me politikat e qeverisë” – mësohet të ketë thënë ai. Djali i tij pranoi se Cintula “nuk e ka votuar” Ficon, por tha se nuk mund të shpjegojë gjestin e të atit. Gazetari investigativ hungarez Szabolcs Panyi tha se autori është i lidhur me grupin paraushtarak pro-rus “Slovenski Branci”. Televizioni “TV JOJ” tha se policia ka ndaluar për ta marrë në pyetje gruan e Cintulës.

4 herë kryeministër (ai e kishte drejtuar qeverinë edhe në 2006 – 2010 dhe 2012 – 2018), Fico është një veteran i politikës sllovake. Pasi fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, ai po ndryshon drejtimin e politikës së jashtme i Bratislavës drejt Rusisë, duke u rreshtuar me hungarezin Viktor Orban. Ai vuri në pikëpyetje sovranitetin e Ukrainës dhe kërkoi një kompromis me Moskën për t’i dhënë fund luftës. Që nga marrja e detyrës ai ka mbajtur premtimin për të mos furnizuar Kievin me “asnjë plumb të vetëm” duke ndaluar dërgimin e armëve për ukrainasit.

I ashpër ndaj emigrantëve dhe pakicave LGBT, Fico ka provokuar protesta masive me reforma të diskutueshme, duke përfshirë një ligj për median i akuzuar për kompromentimin e paanshmërisë së televizionit dhe radios publike. Për shkak të sulmit, dy parti opozitare sllovake anuluan një protestë në mbrojtje të pavarësisë së televizionit dhe radios publike.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME