Arrestimet në nivelet e larta të qeverisjes së tij, Kryeministri Edi Rama i justifikon me punën zbuluese të SPAK dhe jo me rritje të korrupsionit.
“Unë kam punuar me mbi 40 ministra dhe nga këta ministra janë 3 apo 4 në 10 vite. Partia Socialiste vetëm forcohet dhe vetëm zgjerohet” – tha Rama në emisionin “Opinion“.
Rama thotë se për ministrat e akuzuar apo dënuar për korrupsion duhet të përgëzohet PS pasi është ajo që i ka shpallur luftë korrupsionit.
“Unë jam përgjegjës për faktin që ky korrupsion po evidentohet, sepse po të mos ishte Partia Socialiste nuk do të ishte SPAK. Nuk ka sistem korruptim të ngritur, sepse po të kishte sistem korruptim të ngritur ashtu siç interpretohet nuk do të ishte Shqipëria në tavolinën e negociatave. Komisioni Evropian është institucioni i vetëm që ka dhjetëra e qindra persona të angazhuar që merren 24/7 me faktet.
Nuk merren me faktet 24/7 as televizionet, as gazetat, as partitë, asnjeri. Ata merren dhe ata e dinë ekzaktësisht çfarë është çfarë. E dyta unë solla shembujt atje se ne kemi ngritur sisteme dhe po vazhdojmë të ngremë sisteme që e kanë ulur korrupsionin, nuk është ngritur korrupsioni. E treta kjo shpjegohet me faktin se ka një luftë të thelluar kundër korrupsionit dhe këto qe po dalin janë rezultat i kësaj lufte” – tha Rama.
Kreu i qeverisë përsëriti se PS nuk mbron asnjë person që është i përfshirë në korrupsion.
“Kjo është një arsye për të thënë bravo Partisë Socialiste. Sepse Partia Socialiste është e para dhe e vetmja forcë politike në historinë e shtetit shqiptar që nga 1912 që ka hequr nga kontrolli politikë dhe që thotë shumë thjeshtë : “Nuk dua ta di fare a je zëdhënësi, a je shoku, a je tjetri ,a je tjetri… Në këtë pikë nuk ka shokë, nuk ka zëdhënës, nuk ka asgjë tjetër por ka një ndarje të menjëhershme, kaq.
Do të quaja sikur mos të ishte kapur asnjë ish-ministër i Partisë Socialiste, sikur mos të ishte kapur asnjë nga drejtorët që janë kapur, sikur të ishin vënë para drejtësisë vetëm ata që janë të krahut tjetër. Kjo do të ishte përgjegjësi shumë e madhe politike. Nëse do të ishte e vërtetë se në Shqipëri ka një vjedhje masive me tendera…
SPAK s’po thotë asgjë, përveçse po identifikon dhe po godet ashtu siç duhet të bëj raste të caktuara, ndërsa përgjithësimi që si këta që u kapën janë të tërë e bëni ju. E vërteta është në fakt nëse do të ishte kështu nuk do kishim kursyer gati 1 miliardë euro nga tenderat, nuk do kishim një numër operatorësh ekonomikë që fitojnë gara gati 3-fishin e atyre që fitonin para se të vinim ne” – tha Rama.