Sezoni që po mbyllet ka qenë i suksesshëm për Bylisin, pasi siguroi rikthimin në Superiore, por edhe se skuadra e U-21 u shpall kampion. Ballshiotët do të luajnë edhe në Europë, teksa do të jenë pjesëmarrës në “Uefa Youth League” me ekipin e U-19.
Ibrahim Ademola Akibu, nigeriani 18-vjeçar, është shënuesi më i mirë i Bylisi U-19, por ka shënuar këtë sezon edhe për skuadrën e parë dhe U-21. “Te Bylisi erdha pasi klubi ka pasur shumë lojtarë të huaj, sidomos nigerianë. Jam përshtatur shumë shpejt dhe u vlerësova nga trajneri im te U-19, Arben Ahmetaj, që më ka mbështetur shumë. Kam realizuar gola dhe ia dola që të jem i suksesshëm tek U-19 dhe U-21. Falënderoj klubin që më dha hapësira edhe në skuadrën e parë në javët e fundit.
Shpresoj që të luaj sa më shumë edhe në Superiore. E quaj sezon shumë të suksesshëm, sepse fitova dy trofe dhe nuk ka nisje më të mirë të eksperiencës sime në Europë. Po realizoj një ëndërr, sepse tashmë do të luajë në Europë me Bylisin dhe padyshim do të jetë diçka e paharruar”, u shpreh Akibu./ Panorama