Dy persona kanë rënë në pranga pasi tentuan të shitnin në treg, një shumë eurosh të dyshuara të vjedhura në banka të shteteve të BE-së.
Seksioni i Mbështetjes Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i adimistrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, se 2 shtetas tentonin të shitnin në treg, një shumë eurosh (me bojë sigurie) të dyshuara të vjedhura në banka të shteteve të BE-së, finalizuan operacionin policor të koduar “Suspicion”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Taulant Demerxhiu, 33 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe Vladimir Kokomani, 43 vjeç, banues në fshatin Ardhishte, Shijak.
Në fshatin Ardhishte, në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën 80 000 euro që dyshohet se janë vjedhur në banka të shteteve të BE-së, me qëllim shitjen në tregun e brendshëm.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.