Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETBIRN: Pse u shkarkua kreu i KLP-së

BIRN: Pse u shkarkua kreu i KLP-së

Nga Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 21 maj vendimin për procesin e vetingut ndaj kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Alfred Balla. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që vlerësoi ta përfundojë procesin ndaj Ballës pa një vendim përfundimtar, Kolegji vendosi ta ndryshojë atë dhe vendosi sanksionin e kërkuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, që i ndalon kreut të KLP-së të riemërohet për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit. Balla nuk ishte i pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit.

Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Pakica e trupës së KPK vlerësoi se Balla ose duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar.

Komisioneri Ballhysa iu drejtua Kolegjit me ankim, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe vendosjen e sanksionit 15-vjeçar për kreun e KLP. Komisioneri argumentoi se Balla i plotësonte kushtet për subjekt rivlerësimi dhe se ai vetë kishte deklaratën e pasurisë, atë në funksion të figurës, si dhe tre akte ligjore pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kontrollin e profesionalizmit.

Duke iu referuar jurisprudencës së Kolegjit, Ballhysa vlerësoi se, jo domosdoshmërisht subjektet e rivlerësimit, në momentin kur fillonte procedura e vetingut duhet të mbanin të njëjtën detyrë funksionale për të cilën Kushtetuta dhe ligji i cilësonte si subjekte të tilla.

Komisioneri nuk e gjeti të drejtë arsyetimin e KPK se Balla e ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit si pasojë e një akti që ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij. sipas Ballhysës, subjekti në vitin 2018 kishte kërkuar në KPK ndërprerjen e veinggut dhe njëherazi kishte kundërshtuar në gjykatë lirimin e tij nga detyra si ndihmës ligjor.

Po ashtu, kërkesën për njohjen e statusit si ndihmës jo magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, Balla e ka adresuar dhe pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, që me vendimin të dhjetorit të vitit 2020 e ka pezulluar së shqyrtuari për shkak të padisë së ngritur në juridiksionin gjyqësor.

Këto argumente të Komisionerit u renditën edhe nga kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama, e cila u shpreh ndër të tjera se urdhëri i lirimit nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të asaj kohe ishte absolutisht i pavlefshëm dhe si i tillë nuk kishte sjellë asnjë pasojë juridike, duke u konsideruar se nuk ekzistonte. Për pasojë, është vlerësuar se Balla nuk e ka humbur statusin e ndihmësit ligjor për shkak të këtij urdhëri.

Nga ana tjetër, Kolegji vlerëson se subjekti e ka humbur statusin për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të tij, pasi nuk ka kontestuar këtë urdhër në rrugë ligjore dhe ka shfaqur vullnetin për t’u zgjedhur anëtar në një organ tjetër kushtetues. Kjo sjellje e subjektit është vlerësuar nga KPA si shkaku kryesor për përfundimin e marrëdhënies së tij të punës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë. Po ashtu, është vlerësuar se përmbush kushtet për t’u vlerësuar si dorëheqje nga detyra, sipas përcaktimeve të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se dorëheqja nga detyra shoqërohet dhe me sanksionin që i ndalon riemërimin në disa funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Sipas KPA, subjekti ka përfunduar marrdhënien e punësimit si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë për shkak të vullnetit të tij, si dhe ka kërkuar të mos i nënshtrohet procesit të rivlerësimi edhe ndërsa ai vetë ka menduar se e gëzonte statusin e këshilltarit ligjor dhe ka hequr dorë nga këto të drejta. Pëfundimisht, trupi gjykues i Kolegjit, me shumicë votash ka vendosur ndryshimin e vendimarrjes së KPK, duke deklaruar edhe humbjen e së drejtës së Alfred Ballës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. /BIRN

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME