Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sulmi i dhunshëm i ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.
Burimet mediatike bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Bllokut, aty ku avokati i njohur ka shtëpinë.
Tre autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar i kanë zënë pritë Sokol Mëngjesit pranë një kopshti, ku avokati kishte dërguar të birin dhe e kanë goditur me grushte e sende të forta në fytyrë dhe trup.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. Sakaq, policia ka marrë në pyetje të gjithë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë, që ndodhi në një zonë të populluar.
Sipas informacioneve të para bëhet me dije se Sokol Mëngjesi ka fraktura në kokë dhe dëmtime në trup por për momentin është në urgjencë në gjendje të stabilizuar.
Mëngjesi ende nuk ka dhënë deklarimet e tij, ndërsa po bën të gjitha ekzaminimet në spital.
Kujtojmë që Sokol Mëngjesi është avokati i pronarit të inceneratorëve Mirel Mërtirit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha i cili ndodhet në “arrest shtëpie” për dosjen “Partizani”.