Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi se ka arrestuar një punonjës policie të Komisariatit të Himarës. Polici i identifikuar si Festim Xhafaj është ndaluar i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Përndjekje”, “Dhuna në familje”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta”.
Ai dyshohet se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një punonjëse të policisë në Komisariatin e Vlorës. Konkretisht, në datën 3 maj 2024 ka përndjekur përgjatë segmentit rrugor Bulevardi kryesor dhe në “Transballkanike” me automjet punonjësen e policisë duke përplasur automjetin e saj dhe më pas është larguar me shpejtësi, ndërsa mjetin e ka braktisur në Vlorë.
“Nga këqyrja e automjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë të ftohta (thikë e biçak). Kapja e këtij shtetasi u bë e mundur pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbi vendndodhjen e tij, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë personale “Arrest në burg” – thuhet në njoftim.