Rreth 50 persona, banorë të Bulqizës janë paraqitur këtë të diel në spital për ndihmë mjekësore me simptoma helmimi. Rastet e para që kërkuan trajtim nisën që mbrëmjen e së shtunës. Pacientët janë kryesisht të moshës 30-40 vjeç, por mes tyre ka pasur edhe fëmijë. Pacientët nuk janë nga e njëjta zonë, por nga disa fshatra e lagje të ndryshme. Ata kanë paraqitur simptoma të ngjashme si temperaturë, dhimbje barku dhe të vjella.
Mjekët i kanë diagnostikuar gastroenterit akut. Dyshimet janë hedhur mbi rrjetin e ujësjellësit për ndonjë bashkim të ujit të pijshëm me ato të zeza. Policia thotë se me marrjen e njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur verifikimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit.
“Komisariati i Policisë Bulqizë, ka marrë njoftim se disa shtetas banorë të bashkisë Bulqizë, ishin paraqitur në spital për ndihmë mjekësore me simptoma helmimi. Me marrjen e njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit. Në përfundim të hetimeve, do të ketë informacion më të detajuar”, – thuhet në njoftimin e policisë.