Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti përmes një deklarate është shprehur se Shqipëria dhe Tirana folën njëzëri dhe shton se qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira janë e vetmja mënyrë për të sjellë shtetin ligjor dhe demokracinë.
Deklarata e plotë:
”Të nderuar qytetarë!
Ndër arsyet kryesore të shpopullimit të Shqipërisë në këto 11 vite ka qenë dhe mbetet ekonomia e dobët shqiptare, ekonomia e goditur nga politikat dhe praktikat e dëmshme qeveritare, ekonomia gjithnjë e më shumë në krizë të thellë.
Fundosjen ekonomike tashmë nuk po mundohet ta fshehë as vetë qeveria, pasi është vetë Instati qeveritar, që zyrtarizon krizën që ka kapluar disa sektorë të ekonomisë.
Dy janë sektorët më të goditur: industria dhe bujqësia.
Në publikimin mbi ecurinë e ekonomisë në tremujorin e parë 2024, INSTAT vëren se sektori i industrisë, energjisë dhe ujit shënoi rënien e rradhës, me një ulje vjetore 1.05%, dhe sektori i bujqësisë pësoi rënien e mëtejshme prej 1.73%.
Goditja që i është bërë sektorit të industrisë dhe sidomos asaj përpunuese, e cila ka në bazë eksportet shqiptare është treguesi më i qartë i braktisjes nga qeveria, sidomos në këto dy vitet ku euro ka shënuar zhvlerësimin më të lartë në historikun post-komunist. Rënia me 6.8% e industrisë përpunuese, e cila është praktikisht në të njëjtat trende renieje me ato të vitit të kaluar, ku ulja ishte 6%, i vendosin njëherë e mirë kapakun shpresave të qindra sipërmarrësve shqiptare që prisnin që qeveria tu jepte një mbështetje për të kaluar krizën e thellë tashme pothuajse 2 vjecare.
Gjithashtu, tejet shqetësuese vazhdon të jetë rënia e vazhdueshme disa vjecare e sektorit të bujqësisë, duke e orientuar konsumin gjithnjë e më shumë jo ndaj produkteve “Made in Albania” por nga ato të importuara, po nga i njëjti grusht miqsh oligarkë, duke e lënë si përhera Shqipërinë të fundit në rajon përsa i përket subvencioneve direkte ndaj fermerit, blegtorit dhe industrisë agro përpunuese.
Ndërkohë që kriza ndihet kudo dhe varfëria shtohet dita ditës, ndërkohë që 47% e fëmijëve shqiptare janë të kequshqyer, kemi një sektor që krizën jo vetëm që nuk e njeh, por shënon rritje të lartë, dhe ai është sektori i ndërtimit me një rritje prej mbi 14%. Ky është sektori i betonit të kullave shumë katëshe të ndërtuesve të lidhur ngushtë, si me Edi Ramën ashtu edhe me Erion Veliaj, të betonit që pastron qindra milionë euro cdo vit para të krimit dhe korrupsionit.
Shqipëria dhe Tirana folën njëzëri pardje, të bashkuar në betejën ndaj padrejtësive, braktisjes, keqqeverisjes, klientelizmit, korrupsionit.
Krijimi i qeverisë teknike dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, janë e vetmja mënyrë për të risjellë demokracinë dhe shtetin ligjor, për të rikthyer vemendjen te individi, qytetari dhe sipërmarrja.
Partia Demokratike ka një program të qartë dhe angazhim serioz për ekonominë, duke filluar që me uljen e ndjeshme të taksave, miratimin e minimumit jetik, mbështetjen konkrete të sipërmarrjes dhe prodhimit vendas.
Ju faleminderit”