Kualifikueset e Euro 2028: Si funksionon shorti?

Shqipëria, me arritjen e vendit të parë në Grupin C1, siguroi vazon e tretë dhe një short më bujar, kur të rrotullohen goglat.
E gjithë vëmëndja, sapo të ulet perdja e ndeshjeve të fundit të Nations League, do të kthehet te shorti për kualifikueset e Europianit 2028. Shqipëria, me arritjen e vendit të parë në Grupin C1, siguroi vazon e tretë dhe një short më bujar, kur të rrotullohen goglat.
Pas humbjes së hidhur 4-1 ndaj Belgjikës në Bruksel, që vulosi vendin e tretë në grup, pas belgëve dhe Francës, Kombëtarja e Italisë e drejtuar nga Roberto Mancini duhet të kthejë menjëherë faqen. Eliminimi nga Nations League i shuan shpresat për të luajtur në çerekfinale, por të paktën shmang rrezikun e ndeshjeve të mbijetesës dhe, mbi të gjitha, nuk prek një avantazh thelbësor: Italia do të jetë gjithsesi në mesin e skuadrave të vazos së parë në rrugëtimin drejt Euro 2028, turne që do të zhvillohet në Angli, Skoci, Uells dhe Republikën e Irlandës.
Data kryesore është caktuar të dielën, më 6 dhjetor, në orën 18:00 (me orën italiane), në Qendrën Ndërkombëtare të Konventave në Belfast. Pikërisht në Irlandën e Veriut, e cila hoqi dorë nga organizimi i turneut dhe u mjaftua me pritjen e ceremonisë së shortit. Vazot do të përcaktojnë 12 grupet kualifikuese (6 grupe me nga katër skuadra dhe 6 me nga pesë), ndeshjet e të cilave do të zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit 2027.
Përparësitë dhe disavantazhet e Nations League
Rregullorja e UEFA-s përcakton se 12 skuadrat e vazos së parë, që do të jenë edhe ekipet e favorizuara në short, do të përzgjidhen në bazë të renditjes së përkohshme të Ligës së Kombeve dhe jo nga renditja e FIFA-s. Në këtë vazo do të përfshihen tri skuadrat e para të secilit prej katër grupeve të Ligës A. Kjo i jep mundësi Italisë të shmangë që në fillim përballjet me kombëtaret më të forta të kontinentit, mes të cilave Spanja, Anglia, Franca, Belgjika, Gjermania, Portugalia, Holanda, Kroacia, Danimarka, Norvegjia dhe Greqia.
Nga ana tjetër, Shqipëria do të jetë me sytë e ndonjë skuadre të lehte në vazon e dytë, sepse nga e para cilado kombëtare të dalë do të jetë një problem i madh. Favori është se në vazon e katërt dhe të pestë, Maran do të gjejë skuadra të lehta, ose më saktë të kalueshme.
Megjithatë, moskualifikimi në fazën finale të Ligës së Kombeve sjell me vete dy disavantazhe konkrete:
Një kalendar më të ngjeshur – Vetëm katër kombëtaret që do të arrijnë në fazën finale të Ligës së Kombeve, në qershor të vitit 2027, do ta kenë të garantuar përfshirjen në grupet me nga katër skuadra, ku do të zhvillojnë gjithsej gjashtë ndeshje. Italia, përkundrazi, mund të përfundojë si në një grup me katër skuadra, ashtu edhe në një grup me pesë. Në rastin e dytë, rrezikon të luajë tetë ndeshje në vend të gjashtë.
Mungesa e një rruge të sigurt shpëtimi – Vendi i tretë nuk garanton një biletë për ndeshjet e mundshme të play-off-it përmes Ligës së Kombeve. Kjo mundësi u rezervohet fillimisht fitueseve të grupeve të Ligave A, B dhe C. Italia mund të përfitojë nga ky mekanizëm vetëm në mënyrë dytësore, në varësi të rezultateve të kombëtareve të tjera.
Përballjet e mundshme: fantazmat e së kaluarës në vazot e shortit
Të qenit në vazon e parë nuk e mbron Italinë nga kundërshtarët e rrezikshëm, veçanërisht kur sheh përbërjen e vazos së dytë, ku ndodhen disa kombëtare që rikthejnë kujtime të dhimbshme. Kërcënimi kryesor është Zvicra, e cila e detyroi Italinë të luante ndeshjet fatale të play-off-it drejt Botërorit 2022 në Katar dhe më pas e eliminoi në fazën e 1/8-ve të Euro 2024. Por në këtë vazo ndodhen edhe Suedia, makthi i ndeshjeve të play-off-it për Botërorin 2018, si dhe Bosnja, përveç kundërshtarëve të vështirë si Turqia, Austria, Çekia dhe Uellsi.
Duke zbritur në vazon e tretë, shfaqen rreziqe të tjera si Sllovakia, Shqipwria, Skocia dhe Maqedonia e Veriut, një tjetër kundërshtar që i ka shkaktuar probleme Italisë në historinë e saj të fundit. Krahas tyre janë edhe kombëtare më të përballueshme si Rumania, Gjeorgjia dhe Izraeli. Ndërsa në dy vazot e fundit, ku e pesta përbëhet vetëm nga gjashtë skuadra, nuk evidentohen kundërshtarë që paraqesin ndonjë rrezik të veçantë.












