Athina ka ngritur dyshimet e para për integritetin e zgjedhjeve të mbajtura dje në Himarë, ku u shpall fitues, me rezultat të thellë, Vangjel Tavo.
Burime diplomatike greke i bënë thirrje Tiranës t’i përgjigjet ankesave për parregullsi të procesit zgjedhor në Himare.
“Ankesat e paraqitura nga anëtarët e pakicës etnike greke të Shqipërisë në lidhje me kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura bashkiake në bashkinë e Heimarrës, veçanërisht në lidhje me modifikimin demografik të elektoratit dhe mohimin e të drejtës kushtetuese për të votuar të mijëra qytetarëve të Heimarrës, me pretekstin e vlefshmërisë së kartave të tyre të identitetit, ngrenë dyshime serioze për integritetin e procesit”, i thanë këto burime televizionit SKAI.
“Parimi demokratik dhe acquis europiane kërkojnë që autoritetet shqiptare të vlerësojnë dhe t’u përgjigjen të gjitha raporteve që kanë të bëjnë me integritetin e zgjedhjeve të djeshme,” kanë shtuar ato.
Zgjedhjet në Himarë u zhvilluan nën tensionin mes Shqipërisë dhe Greqisë të shkaktuar pas burgosjes së kandidatit fitues së një viti më parë Fredi Beleri. “Beteja e zhvilluar së fundmi nga qeveria shqiptare ishte me të gjitha mjetet për të parandaluar një tjetër surprizë të pakëndshme me zgjedhjen e Petro Gjikorisë, i cili mbështetet nga Omonia dhe partitë opozitare dhe është pasardhësi i koalicionit me të cilin Beleri fitoi zgjedhjet e majit 2023. Ajo donte që kandidati i “importuar” nga Dropulli, ish-deputeti i Partisë Socialiste Vangelis Tavo të fitonte me cdo kusht” shkroi Protothema.