Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËShqipëria një bashki, nëna e gjithë reformave!

Shqipëria një bashki, nëna e gjithë reformave!

Nga Lutfi Dervishi – Harta e re gjyqësore, një togëfjalësh shumë tingëllues, që shqip do të thotë 18 gjykata më pak, ka ngjallur revoltë te avokatët, zemërim te noterët dhe huti te qytetarët.
Kritikët, që në këtë vend janë më të shumtë se numri i banorëve, thonë se duhet marrë shembulli i fqinjit tonë lindor Maqedonisë, që ka 27 gjykata të shkallës së parë, 5 gjykata apeli dhe Shkupi që ka vetëm 500 mijë banorë ka jo një, por dy gjykata të shkallës së parë!
Por, ne nuk kemi pse të kopjojmë të tjerët aq më tepër Maqedoninë prej së cilës tani kërkojmë të distancohemi se e ka marrë peng Bullgaria në rrugën drejt BE-së. Ne duhet të jemi krijues.
Pse të mos bëjmë një zgjidhje të padëgjuar ndonjëherë dhe të mahnisim botën?! Duke u marrë me reforma pas reformash nuk po na del koha të bëjmë ndonjë punë. Pse të mos bëjmë një BiG Reformë? Një reformë që nuk zgjidh vetëm një problem, por disa probleme njëherësh?! Pse të mos bëjmë nënën e të gjithë reformave?!
Pse të mos e shpallim Shqipërinë me një bashki, me një kryebashkiak?!
Aktualisht në Tiranë banojnë 1 milionë banorë. Duke llogaritur ndërtimet që po vijojnë ka vend edhe për 3 milionë banorë të tjerë. Pra mund të strehojmë jo vetëm gjithë shqiptarët që kanë mbetur në qytete e fshatra, por edhe 1 milionë ukrainas në Tiranë.
Me shpalljen e Shqipërisë një bashki, kemi zgjidhur edhe problemin e reformës territoriale ku sot një palë kërkon të ulë numrin e bashkive dhe një palë tjetër kërkon rritjen e tyre.
Shqipëria një bashki zgjidh edhe sherrin 30 vjeçar që pason çdo palë zgjedhje. Madje, në kushtet e luftës në Ukrainë dhe krizës globale për të cilën ne vetëm po kontribuojmë për t’i dhënë zgjidhje, ne do të kursejmë si askush tjetër.
Duke patur vetëm një bashki dhe një kryebashkiak, ne eliminiojmë një palë zgjedhje,krejt të panevojshme, shmangim një sherr të panevojshëm dhe forcojmë demokracinë direkte, ku kryeminstri/kryebashkiku zgjidhet drejt për drejtë nga populli. Kursejmë edhe punën e ndërkombëtarëve dhe sidomos të OSBE/ODHIR me vëzhgues dhe raporte!
Shqipëria një bashki, zgjidh edhe problemin e madh të korrupsionit që menduam se i dhamë zgjidhje dërrmuese me Konferencën Kombëtare Antikorrupsion. Kush do të çmendet që për një vend kryetari të harxhojë 3 milionë thasë me miell, aq më tepër që tani është rritur dhe çmimi i miellit. Madje edhe i miellit që përdorin furrtarët dhe amvisat për gatim!
Shqipëria një bashki është një zgjidhje ideale, jo vetëm për reformën territoriale, zgjedhore, antikorruption, por edhe për vetë hartën e re gjyqësore.
Nuk ka pse të ketë më diskutim duhen një apo 3 gjykata apeli, duhen 13, apo 26 gjykata rrethesh, duhen kaq apo aq gjykata administrative?!
Na mjafton një gjykatë, dhe na del e na tepron një gjykatës suprem!
Zgjidhje, ka për çdo problem, por thjesht nuk kemi vrarë mendjen sa duhet.
Shqipëria një bashki – zgjidhja e gjithë problemeve dhe nëna e të gjithë reformave! Vetëm durim. Jeta është e vëshirë vetëm 100 vitet e para!

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME