Ka zgjatur mbi 8 orë mbledhja e thirrur nga kryeministri Edi Rama me kabinetin qeveritar dhe drejtues institucionesh e zhvilluar në vilën qeveritare në Dajt. Rama u largua pa folur për mediat pas kësaj mbledhjeje. Në të njëjtën mënyrë u larguan edhe ministrat apo pjesëmarrësit e tjerë në mbledhje.
Për momentin detajet janë të pakta nga kjo mbledhje, por mediat raportuan se në takimin me dyer të mbyllura është diskutuar për disa çështje siç janë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, komunikimi në rrjetet sociale, çështjet sociale dhe siguria dhe integrimi.
Një pjesë të rëndësishme e diskutimit ishte ajo për zgjedhjet e 2025. Mbledhja ishte e ndarë në 4 sesione diskutimesh. Endri Fuga, këshilltari për mediat i kryeministrit Edi Rama, ka folur për rëndësinë e komunikimit të deputetëve e ministrave në rrjetet sociale. Blloku i dytë ishte ai social, blloku i tretë është i sigurisë, blloku i drejtorëve dhe blloku i integrimit. Mes ministrave që folën ishin Ulsi Manja, Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu.
Sa i përket planit të zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, fjala i është dhënë kryenegociatores Majlinda Dhuka. Në takim ishte edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe drejtorët e institucioneve të varësisë.
Pas një jave më 8 shtator do të zhvillohet Asambleja e PS-së, ku pritet të ketë ndryshime në strukturat e Partisë Socialiste, duke përfshirë edhe konfigurimin e Kryesisë së PS, Sekretariateve dhe drejtuesve politikë socialistë në qarqe.