Tentohet të grabitet arka në Kishën e Vajkanit, shënjat të çojnë te adoleshentë. (video)

Fier – Një tjetër tentativë për grabitje është regjistruar në Kishën e Shën Nikollës në Vajkan të Fierit. Persona ende të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin arkën e kishës, ngjarje kjo e ndodhur gjatë ditës së djeshme.
Rasti është konstatuar nga kujdestari i objektit të kultit, i cili menjëherë ka njoftuar Policinë e Fierit. Hetimet paraprake janë në vijim dhe sipas të dhënave të para dyshohet se autorët mund të jenë adoleshentë.
Dyshimet janë ngritur për shkak se është dëmtuar arka, nuk janë prekur sendet me vlerë si ikonat apo ungjijtë, dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmë gishtash që i përkasin moshave të reja.


Sipas përfaqësuesit të Metropolisë së Apollonisë dhe Fierit pranë kishës së Shën Gjergjit, At Dhimitër Lloshi, autorët nuk kanë mundur të hapin arkën dhe ngjarja është një tjetër sinjal shqetësues për objektet e kultit në këtë zonë.
Prifti thekson se në dy vitet e fundit janë shtuar rastet e tentativave për vjedhje në kishat e zonës, ku objektivi kryesor kanë qenë arkat me vlera monetare, ndërsa në të kaluarën synoheshin më shumë sendet e shenjta dhe historike si këmbanat, ikonat dhe librat liturgjikë.



Edhe banorët e Vajkanit konfirmojnë se kjo nuk është hera e parë që kisha përballet me tentativa të tilla grabitjeje, duke kërkuar më shumë siguri për vendet e shenjta.
Në përmbyllje, At Dhimitër Lloshi dënon ashpër këto akte, duke i cilësuar si goditje morale dhe shpirtërore ndaj komunitetit.









