Magjia e kombinimeve: Nga tekstet e lashta hebraike te robotët e sotëm

Koleksioni ikonik i tregimeve fantastiko-shkencore të Isaac Asimovit, I, Robot, tregon historinë e androidëve të krijuar nga kompania U.S. Robots and Mechanical Men, Inc.. Modelet variojnë nga “Robbie”, i cili nuk flet, te “Stephen Byerley”, që mund të jetë ose jo robot, aq i ngjashëm me një njeri saqë askush nuk mund ta dallojë.
Megjithatë, secili model është ndërtuar nga të njëjtat elemente themelore: kodi binar i njëshave dhe zerove. Dallimet në sjellje midis robotit më të thjeshtë dhe atij më të avancuar, pothuajse i padallueshëm nga një njeri, qëndrojnë vetëm në renditjen e këtyre dy shifrave.
Të gjitha gjuhët kompjuterike, madje edhe programet e inteligjencës artificiale, versioni i sotëm i “Stephen Byerley”, në fund përkthehen në njësha dhe zero. Por, megjithëse kjo teknologji është e re, koncepti mbi të cilin bazohet nuk është.
Ideja që riorganizimi i njësive themelore në një mënyrë të caktuar mund të prodhojë rezultate të fuqishme, madje dukshëm “magjike”, gjendet kudo rreth nesh. Ajo shfaqet në teknologji, shkencë, fe dhe art, një model mbi të cilin fokusohem në punën time për mënyrën si letërsia ndërthuret me shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën.
Shembujt më magjepsës të këtij modeli janë edhe më të lashtët: ata vijnë nga Kabala, një formë misticizmi hebraik që për herë të parë u botua në shekullin e 12-të të erës sonë.
Blloqet ndërtuese të krijimit
Pjesë thelbësore e Kabalës është ideja se shkronjat hebraike janë gurët themelorë të kozmosit. Sipas interpretimit mistik të historisë së krijimit në Zanafillë, Zoti solli botën në ekzistencë duke krijuar së pari alfabetin, pastaj formoi tokën dhe qiellin duke i riorganizuar shkronjat.
“Zoti paraqitet si një arkitekt dhe Tora si plani i ndërtimit të botës,” shkruan eruditi i studimeve hebraike Howard Schwartznë librin Tree of Souls. “Mënyra si dalin dhe kombinohen shkronjat ka një ngjashmëri të habitshme me kombinimin dhe rikombinimin e vargjeve të ADN-së.”
Sefer Yetzirah (Libri i Krijimit), që studiuesi i Torës AryehKaplan e ka quajtur “teksti më i vjetër dhe më misterioz kabalistik”, përshkruan shkronjat hebraike si bartëse të një fuqie të madhe. Në përkthimin dhe komentimin e tij të vargut 2.2, Zoti “gdhendi” shkronjat “nga hiçi”, më pas i “kombinoi” në mënyra të ndryshme dhe i “peshonte” ato.
“Çdo shkronjë përfaqëson një lloj të ndryshëm informacioni,” shkruan Kaplan. “Përmes manipulimeve të ndryshme të shkronjave, Zoti krijoi gjithçka.”
Nga balta te njeriu
Në tregimet hebraike, fuqia e shenjtë e shkronjave mund të përdoret për të gjallëruar materien e pajetë. Kështu lind një nga figurat më të hershme të androidëve në letërsi: golemi, një krijesë humanoide prej balte.
Në shumë versione të legjendës, ideja që shkronjat e gjallërojnë golemin është e përbashkët. Masa e tokës së formuar merr jetë kur krijuesi shqipton kombinime të fshehta shkronjash. Në ballin e golemit është gdhendur fjala hebraike për “të vërtetën”, אמת, e përbërë nga shkronja e parë, e mesme dhe e fundit e alfabetit hebraik, gjë që sipas traditës do të thotë se e vërteta është gjithëpërfshirëse.
Për ta çaktivizuar krijesën, krijuesi duhet të heqë shkronjën e parë, א (alef), që përfaqëson njësinë e Zotit. Kjo lë fjalën מת, që në hebraisht do të thotë “i vdekur”, duke pasqyruar idenë se nuk ka të vërtetë pa Zotin.
‘Kodimi’ kudo rreth nesh
Ashtu si golemi, robotët, androidët dhe IA-ja funksionojnë përmes rikombinimit të njësive elementare. Në vend të shkronjave hebraike, këto njësi janë njësha dhe zero. Në të dy rastet, renditja e saktë bën gjithë dallimin, dhe të gjitha këto krijime kanë frymëzuar histori rreth pasojave të riorganizimit të blloqeve bazë.
Krijesa e Mary Shelley-t te Frankenstein ngrihet nga një përzierje pjesësh trupore. Personazhet e Margaret Atwood, “Crakers”, janë “njerëz 2.0”, të bioinxhinieruar nga gjene të riorganizuara. Në novelën Seventy-Two Letters të Ted Chiang, e frymëzuar nga legjendat e golemit, kukullat lëvizin sipas sekuencës së shkronjave të vendosura në shpinë.
Ky model nuk gjendet vetëm në trillim, as vetëm në shkencën kompjuterike. Muzika lind nga renditja e notave; organizmat nga kombinimi i gjeneve. Në çdo qenie të gjallë, nga bufi te hardhuca, nga njeriu te trëndafili, udhëzimet e ADN-së përbëhen nga kombinime të katër bazave azotike.
Dallimi biologjik midis një njeriu kompleks dhe një bakteri të thjeshtë qëndron te renditja e këtyre bazave. Biologu Hugo de Vries, në fillim të shekullit XX, vuri re: “E gjithë bota organike është rezultat i kombinimeve të panumërta të disa faktorëve relativisht të paktë.”
Fuqia e renditjes
Jo çdo kombinim “funksionon”, as në shkencë, as në tregime. Në poemën Mbi Natyrën e Gjërave, autori romak i shekullit të parë, Lucretius, paralajmëronte se “nuk duhet të mendojmë se të gjitha grimcat mund të lidhen në çdo mënyrë, përndryshe do të shihnim përbindësha kudo, gjysmë njeri, gjysmë kafshë…”
Fantazitë mënjanë, ideja mbetet: jo çdo permutacion jep rezultat të vlefshëm. Në biologjinë moderne, disa kombinime të katër bazave nuk do të krijonin një organizëm funksional.
Shkrimtari Jorge Luis Borges, në tregimin Biblioteka e Babelit, imagjinon një univers-bibliotekë me libra që përmbajnë çdo kombinim të mundshëm të 25 karaktereve. Shumica janë të pakuptimta, vargje shkronjash pa kuptim.
Ajo që e bën një strukturë funksionale dhe një tjetër jo është renditja. Dallimi midis sjelljes së robotit të thjeshtë të Asimovit, “Robbie”, dhe një IA-je aq komplekse sa duket e vetëdijshme, është sekuenca e njëshave dhe zerove që e udhëzon, jo shumë ndryshe nga mënyra si një shkronjë e vetme dallon krijimin nga shkatërrimi në folklorin hebraik.
Pasojat e mundshme të këtyre permutacioneve të reja të IA-së kanë sjellë frikë dhe pasiguri. Por ndoshta ka pak ngushëllim në fjalët biblike: אֵין כָּל חָדָשׁ תַּחַת הַשָּׁמֶשׁ, “Nuk ka asgjë të re nën diell.” – The Conversation











