Rama dërgoi Çuçin sot në Vlorë, prapaskenat e dorëheqjes së detyruar të Ermal Dredhës

Dorëheqja e Ermal Dredhës sot nga drejtimi i bashkisë Vlorë nuk është një rrufe në qiell të hapur. Është vecse epilogu i një përplasje me kryeministrin Rama dhe dihej që do të kishte këtë fund.
Burime pranë PS i thanë Lapsi.al se sot drejt Vlorës kishte udhëtuar drejtuesi politik i socialistëve, Bledi Çuçi, misioni i të cilit ishte të sigurohej që Ermal Dredha do të finalizonte dorëheqjen e tij të detyruar.
E jo vetëm kaq, por përpara se të largohej nga detyra të emëronte edhe nënkryetarin e ri, i cili do të marrë kompetencat e kryetarit të bashkisë.
Elis Halili, njeriu i kompanisë “Fusha” në Vlorë, është emëruar sot si nënkryetar i bashkisë. Synimi është i qartë, i tha burimi Lapsi.al, që që Halili të marrë drejtimin e bashkisë deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja për Vlorën.
Çuçi ka drejtuar grupin e punës për riorganizimin e Bashkisë Vlorë pas shkarkimeve masive që Rama urdhëroi në muajin korrik.
Përgjatë këtij procesi ka pasur përplasje të tjera me Ermal Dredhën, i cili ishte i detyruar të pranonte cdo propozim që i vinte prej Ramës dhe Çuçit.
Praktikisht në këto muaj kryebashkiaku i Vlorës u shndërruar në një kukull që vetëm firmoste cfarë i kërkonte Rama, Çuçi apo Mazniku.
Gjeneza e kësaj përplasje pa kthim mes Ramës dhe Dredhës nuk lidhet vetëm me administrimin e qytetit, por edhe me hezitimin në disa raste të kryebashkiakut të Vlorës për të miratuar symbyllur cdo porosi të shefit të Rilindjes.
Afërmendsh që ai i frigohej goditjeve si ajo ndaj Shpëtim Gjikës apo edhe Erion Veliajt së fundi.
Deri më tani s’ka një shpjegim prej vetë Dredhës për arsyet e dorëheqjes e mbase ato arsye nuk do t’i artikulojë asnjëherë duke respektuar kështu “omertan” brenda organizatës së Rilindjes










