POLITIKËTOP-NEWS

ODIHR për 11 Majin/ Blerje votash, presion administratës dhe media të kapura

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 përfunduan me një fitore të thellë të Partisë Socialiste të Edi Ramës, e cila siguroi 83 mandate në Kuvendin e ri. Opozita, e përçarë mes disa fraksioneve të dalë nga Partia Demokratike, pësoi një humbje të rëndë duke marrë gjithsej 50 deputetë, ndërsa pjesa tjetër iu nda partive të vogla.

Megjithatë, opozita e cilësoi procesin “të parregullt” dhe akuzoi qeverinë për përdorim masiv të burimeve shtetërore, blerje votash, presione ndaj administratës dhe manipulim të mediave. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR, i publikuar në tetor 2025, identifikon një sërë mangësish serioze në fushatën dhe administrimin zgjedhor, duke ngritur dyshime mbi barazinë e garës dhe integritetin e procesit.

1. Përdorimi i burimeve shtetërore: “vija mes shtetit dhe partisë”

“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative dhe ndikimi institucional, duke e bërë të paqartë kufirin midis shtetit dhe partisë, në kundërshtim me standardet e dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së.”

ODIHR vëren se ministrat dhe vetë kryeministri morën pjesë në inspektime, inaugurime dhe aktivitete publike gjatë fushatës, të cilat në mënyrë të tërthortë shërbenin si promovim elektoral për Partinë Socialiste. Në periudhën katërmujore para zgjedhjeve, qeveria raportoi 4,522 aktivitete publike, por KQZ ndaloi vetëm 18 prej tyre, një përqindje qesharake që tregon mungesë kontrolli real.

Kjo praktikë, sipas OSBE-së, krijoi avantazh të padrejtë për partinë në pushtet, duke e bërë garën jo të barabartë. Në shumë raste, zyrtarë të administratës lokale ishin njëkohësisht koordinatorë politikë të PS-së, duke përzier detyrat shtetërore me fushatën.

2. Blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve: “frikësim, patronazhim dhe lidhje me krimin”

“Misioni i ODIHR-it mori një numër të madh raportimesh për presion ndaj punonjësve të bashkive nga eprorët e tyre për të mbështetur ose marrë pjesë në fushatën e Partisë Socialiste… Disa bashkëbisedues theksuan se komunitetet vulnerabël ishin veçanërisht të ekspozuara ndaj presionit nga autoritetet publike për të votuar për PS-në.”

“Gjatë fushatës u raportuan disa raste të blerjes së votës dhe u nisën hetime në 37 raste. Disa bashkëbisedues të ODIHR-it ngritën shqetësime për lidhje mes partive politike dhe grupeve të krimit të organizuar në disa zona.”

Raporti evidenton një model të përsëritur presionesh ndaj punonjësve të bashkive, mësuesve dhe administratës publike për të marrë pjesë në takime të Partisë Socialiste, apo për të siguruar vota. Në disa raste, punonjësit janë detyruar të dorëzojnë të dhëna mbi familjarët që jetojnë jashtë vendit, si pjesë e sistemit të patronazhistëve.

ODIHR konfirmon se 37 raste të shitblerjes së votës u hetuan nga autoritetet, ndërsa në disa zona si Elbasan, Durrës, Vorë dhe Shkodër u raportuan ndërhyrje të grupeve kriminale në favor të kandidatëve të lidhur me pushtetin. Ky është një nga elementet më të rënda që minon besimin tek zgjedhjet, sipas standardeve ndërkombëtare.

3. Media të kapura: “lajmet furnizohen nga partitë, gazetarët nën presion”

“Pavarësia, diversiteti dhe integriteti i lajmeve që u ofrohen votuesve janë gërryer nga financimet jotransparente, përqendrimi i pronësisë, ndërhyrjet në autonominë editoriale dhe ndikimi politik.”

“Sipas shumicës së bashkëbiseduesve të ODIHR-it, kronikat televizive të fushatës u prodhuan nga vetë partitë politike, e jo nga gazetarët.”

Sipas raportit, mjedisi mediatik në Shqipëri mbetet i kapur nga politika dhe interesat financiare, ndërsa shumica e televizioneve kryesore janë të lidhura me qeverinë. Gazetarët punojnë nën frikë, autocensurë dhe presion nga pronarët, ndërsa qeveria përdor Agjencinë e Informacionit dhe Medias për të filtruar çdo njoftim publik.

Në disa raste, materialet e fushatës u transmetuan si lajme, pa u etiketuar si reklama politike, një praktikë që ODIHR e cilëson si shkelje flagrante të ligjit zgjedhor. Ndërkohë, opozita pothuajse nuk pati akses të barabartë në ekrane, dhe mediat online që raportuan në mënyrë kritike u përballën me gjyqe dhe kërcënime.

4. Bonusi për pensionistët dhe faljet masive: “masa sociale me synim elektoral”

“Edhe pse ndalimi për miratimin e legjislacionit që jep përfitime brenda katër muajve para ditës së zgjedhjeve u respektua formalisht, disa politika të miratuara përpara këtij afati sollën shpërndarjen e përfitimeve gjatë periudhës elektorale, përfshirë një bonus të veçantë për pensionistët.”

ODIHR e përfshin bonusin për pensionistët dhe faljen e gjobave për ndërtimet pa leje e taksat e fermerëve si masa me synim elektoral.

Edhe pse formalisht këto vendime ishin miratuar pak para afatit ligjor, ato u zbatuan dy ditë para zgjedhjeve, duke ndikuar tek një numër i madh votuesish. Kjo metodë, sipas raportit, shkel frymën e barazisë së garës dhe është një formë indirekte e blerjes së mbështetjes politike përmes politikave bujare në prag të votimit.

5. Problemet me administrimin dhe teknologjinë: “ndryshime të vona dhe anarki në qendrat e votimit”

“Disa rregullore u ndryshuan deri një javë para ditës së zgjedhjeve… një pjesë e informacionit të rëndësishëm nuk iu shpërnda në kohë anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit. Ditën e zgjedhjeve, 20 për qind e komisioneve nuk kishin shtatë anëtarët e parashikuar nga ligji.”

“Dita e zgjedhjeve ishte në përgjithësi e qetë dhe transparente, por në shumë vende u shkelën procedurat, me disa raportime për frikësim dhe nxitje të votuesve.”

Raporti tregon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri ndryshime në rregullat e numërimit dhe votimit vetëm një javë para zgjedhjeve, duke krijuar konfuzion mes komisionerëve. Në 20% të qendrave të votimit mungonin anëtarë komisionesh, ndërsa rreth 1.800 persona u zëvendësuan në momentet e fundit, shpesh për arsye politike. Teknologjia e re e votimit elektronik u aplikua vetëm në dy zona dhe procesi u pezullua për shkak të mosbesimit të opozitës, çka solli vonesa dhe pasiguri në publik. Megjithëse ODIHR e vlerëson ditën e zgjedhjeve si “të qetë”, raporti pranon se procedurat u shkelën në shumë qendra, dhe në disa raste fshehtësia e votës u cënua.

Pavarësisht gjetjeve kritike të OSBE/ODIHR, që dokumentojnë parregullsi serioze në përdorimin e pushtetit, mediat dhe procesin zgjedhor, asgjë nuk ndryshon tashmë në ekuilibrat e pushtetit pas rezultatit të 11 majit. KQZ e ka shpallur rezultatin përfundimtar pavarësisht kontestimeve të opozitës që është tashmë pjesë e parlamentit. Si në zgjedhjet e kaluara, raportet ndërkombëtare mbeten në letër, ndërsa në praktikë, Shqipëria vijon të përballet me të njëjtat probleme të demokracisë: pushtet i përqendruar, zgjedhje të parregullta dhe media të kapura./Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button