“Pensionet qesharake nuk na dalin për asgjë” – Pensionistët e Rroskovecit humbin besimin te premtimet e qeverisë për rritjen e pensioneve

Rroskovec – Ndërsa qeveria ka premtuar rritje të pensioneve sipas kategorive duke nisur nga muaji janar i vitit të ardhshëm, pensionistët e Rroskovecit shprehen skeptikë dhe mosbesues ndaj këtij premtimi. Ata thonë se kanë dëgjuar shpesh premtime të tilla, por realiteti i përditshëm i tyre mbetet i njëjtë – i rëndë dhe i pamëshirshëm, ndërsa çmimet e produkteve bazë rriten çdo ditë.
Në një prononcim për ALB365, të moshuarit shprehen me tone zhgënjimi, duke theksuar se pensionet aktuale janë të mjerueshme dhe nuk mjaftojnë as për nevojat më elementare të jetesës.
“Këto pensione që marrim nuk na dalin për asgjë. Me 9 apo 10 mijë lekë në muaj, çfarë të bëjmë më parë? Ilaçet janë të shtrenjta, dritat e uji po ashtu. Ne nuk kemi luks, por duam një jetë dinjitoze,” – tregon një pensionist i moshuar në Rroskovec.






Sipas tyre, çdo muaj është një betejë e vërtetë për mbijetesë. Shumica e pensionistëve mezi arrijnë të paguajnë dritat, ujin dhe taksat bashkiake, ndërsa për ilaçet, shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmë nga fëmijët ose të afërmit.
“Nëse do të flasim realisht, një pensionist nuk mund të jetojë me më pak se 35 mijë lekë në muaj. Çmimet janë rritur, gjithçka është bërë më e vështirë. Duam jo premtime, por veprime konkrete,” – shton një tjetër qytetar, i cili shprehet i zhgënjyer nga mungesa e vëmendjes së institucioneve ndaj kësaj shtrese të shoqërisë.
Sipas të dhënave nga njësitë vendore, rreth 75 për qind e pensionistëve në Rroskovec janë me pension fshati – pra, me të ardhura më të ulëta se mesatarja kombëtare – ndërsa pjesa tjetër përfshin ish-punonjës të ndërmarrjeve shtetërore apo persona me pensione invaliditeti. Këta të moshuar, që kanë punuar një jetë të tërë në bujqësi dhe në sektorë publikë, ndihen të harruar nga shteti dhe të lënë në mëshirën e fatit.
Në rrugët e qytetit, çdo bisedë mes të moshuarve nis dhe mbaron me të njëjtën fjalë: “Pensioni nuk del.”
Ata shprehen se nuk kërkojnë luks apo favore, por një minimum ekonomik që t’u garantojë ushqim, ilaçe dhe një jetë me dinjitet në vitet e pleqërisë.
“Kemi dhënë kontributin tonë për këtë vend, nuk duam lëmoshë, por një trajtim të drejtë. Premtimet i dëgjojmë sa herë afrohen zgjedhjet, pastaj gjithçka harrohet,” – thotë një tjetër pensionist me hidhërim në zë.
Ndërkohë, në pritje të janarit dhe të premtimeve të reja qeveritare, pensionistët e Rroskovecit mbeten me sytë nga ekrani, por me zemrën plot dyshime. Ata shpresojnë që këtë herë fjala të mos mbetet në letër, por të kthehet në një realitet që u lehtëson jetën e përditshme dhe u rikthen sadopak dinjitetin e humbur./ALB365/ Xhemil Beharaj









