AKTUALITET

Aksident i rëndë në aksin Lushnje–Berat, plagoset një turist i huaj me motoçikletë


Lushnje – Një tjetër aksident i rëndë është regjistruar në aksin nacional Lushnje–Berat, në dalje të Fier-Sheganit.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Benz” ka përplasur nga pas një motoçikletë me të cilën udhëtonte një turist i huaj në drejtim të Beratit. Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që drejtuesi i motoçikletës, një shtetas i huaj rreth 35 vjeç, të marrë dëmtime të shumta në trup.

I plagosuri është transportuar me urgjencë nga ambulanca drejt spitalit të Lushnjes, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Sipas të dhënave të para, dyshohet se drejtuesi i motoçikletës ka humbur kontrollin e mjetit dhe më pas është goditur nga pas nga automjeti tip “Benz”.

Megjithatë, do të jetë ekspertiza shkencore ajo që do të përcaktojë dinamikën dhe përgjegjësitë e këtij aksidenti, ku mbeti i plagosur turisti i huaj.

Aksi rrugor Lushnje–Berat vijon të mbetet një nga segmentet më problematike për qarkullimin, për shkak të trafikut të rënduar dhe mungesës së një rruge me standarde më të larta. Kjo situatë ka sjellë vazhdimisht aksidente, disa prej tyre edhe me pasoja fatale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button