Gazetari ukrainas ndalon “vajzën” e Putinit në Paris: Thuaji babait të ndalë luftën

22-vjeçarja Luiza Rozova, që njihet si vajza sekrete e Vladimir Putinit, u detyrua të deklaronte se i vjen “vërtet keq” për luftën brutale në Ukrainë. Ajo u ndalua nga një gazetar ukrainas, vëllai i të cilit u vra së fundmi në një sulm rus me raketa. Ajo e përgëzoi gazetarin që pati “guximin” për të folur me të, por më pas u zhduk në rrugët e kryeqytetit francez ku jeton tani.
Gazetari ukrainas i rrjetit TSN, Dmytro Sviatnenko, vëllai i të cilit, Volodymyr, u vra në një sulm me raketa të Putinit në nëntor, i cili i kërkoi asaj që të fliste me sundimtarin rus për t’iu lutur atij që të ndalonte gjakderdhjen.
Luiza, emri i vërtetë i së cilës është Elizaveta Krivonogikh, lindi gjatë një afere jashtëmartesore që Putini pati me pastruesen e shndërruar më pas në multimilionere Svetlana Krivonogikh, tani një bankiere 50-vjeçare dhe pronare e një klubi striptizi.
“Tre javë më parë, babai yt vrau vëllain tim”, i tha ai vajzës së Putinit. Ai e pyeti se si mund të jetojë ajo në Evropën, e portretizuar si “të urryer” dhe “të mallkuar” nga Putini. “Thuaj diçka! A i mbështesni politikat e tij?”, iu drejtua ai sërish asaj.
Duke mbajtur një maskë që i mbronte pjesërisht fytyrën, Luiza u përgjigj fillimisht: “Nuk të dhashë leje të më filmoje”.
“Epo, e dini, Kievi është aktualisht pa energji elektrike dhe ka një alarm për sulme ajrore tani. As ne nuk dhamë lejen tonë për këtë. Çfarë mendoni për politikat e babait tuaj?”, i tha ai.
“Çfarë lidhje ka kjo me mua?”, tha ajo.
“Epo, ai është babai yt. Të paktën, mund ta telefonosh tani dhe t’i thuash, ‘Babi, ndalo së bombarduari Kievin’”.
Ajo u përgjigj: ‘Epo, sigurisht.’
Ai i tha: ‘Epo, provoje.’
Ajo përsëriti: ‘Epo, sigurisht.’
Më pas Luiza u largua duke mos thënë më asnjë fjalë.











