“Balluku duhej të jepte dorëheqjen dhe të hetohej pa imunitet”

Këshilli i Mandateve zhvilloi një mbledhje ditën e sotme me dyer të mbyllura por u mbyll pa konsensus lidhur me afatin e shqyrtimit të provave, një dosje me 10 mijë faqe që SPAK ka paraqitur kundër zv.kryeministres Belinda Balluku për ta arrestuar.
Lidhur me këtë, avokati Fran Dashi i ftuar në një emision televiziv, tha se Balluku duhet që të kishte dhënë dorëheqjen dhe të pranonte që të hetojë pa pasur imunitetin e deputetes.
‘Dosja prej 10 mijë faqesh është alarmante. Çdo njeri që akuzohet për korrupsion duhet që të largohet. Po të isha unë në vend të saj për partinë që përfaqëson dhe për qeverinë dhe deputete do të kisha dhënë dorëheqjen dhe do t’i isha nënshtruar një hetimi pa imunitetin e deputetes dhe të zv.kryeministres, sepse një veprim i tillë e çon vendin drejt një stabilizimi’, tha ai.
Avokati tha se Shqipëria prej 35 vitesh drejtohet nga të njëjtët politikanë. Sipas tij, nëse situata në vend vijon në këtë mënyrë, ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë, pasi korrupsioni ka tejkaluar çdo kufi.
‘Nëse situata në këtë vend do të vijoi kështu SHBA duhet që të vërë dorën këtu, boll me korrupsion. Ka 35 vite politika me të njëjtët politikan dhe për këtë duhet që të ndërhyjnë ndërkombëtarët, atyre i intereson sepse s’duan destabilizimin e vendit sepse ka kosto për Europën dhe për Amerikën. Shqipëria është vend i NATO dhe duhet të ketë stabilitet. Këtu duhen politikan të përgjegjëshëm për ta drejtuar këtë vend’, tha avoakti Fran Dashi.
Teksa u ndal tek largimi i Altin Dumanit nga SPAK pasi i mbaroi mandati në krye të këtij institucioni, ndërsa në vend të tij u emërua Klodian Braho, ai tha se Dumani theu mitin e të paprekshmëve.
‘Kreu i parë i SPAK ka fjetur gjumë, nuk bëri asnjë goditje që të mbahej mend. Dumani ka thyer mitin e të paprekshmit sepse ka shkuar deri tek zv.kryeministrja. Me ardhjen e kreut të ri të SPAK do të shohim si do ecë. Unë do isha mes Adnand Xholit dhe Doloreza Musabelliut, por mesa duket kanë votuar me shumicë votash për Brahon’, tha ai.









