Eddie Murphy zbulon të vërtetën pas largimit të bujshëm nga Oscars

Eddie Murphy ka sqaruar më në fund arsyen pse u largua herët nga ceremonia e Academy Awards 2007, pasi humbi çmimin për Aktori më i Mirë në Rol Dytësor për rolin e James Early në filmin Dreamgirls.
Aktori 64-vjeçar tregoi për Entertainment Weekly se largimi i tij nuk kishte të bënte me zemërim apo revoltë, por me një ndjesi të sikletshme nga reagimet e njerëzve pas humbjes.
“Isha në Oscarë, humba çmimin dhe njerëzit filluan të vinin njëri pas tjetrit duke më prekur në shpatull,” kujtoi Murphy. “Edhe Clint Eastwood erdhi dhe më fërkoi shpatullën. Aty thashë me vete: ‘Jo, nuk do të jem unë ky tipi që merr simpati gjithë natën. Më mirë të largohem.’”
Ai theksoi se nuk u largua i mërzitur apo i zemëruar, duke hedhur poshtë thashethemet se kishte braktisur ceremoninë nga inati, madje duke humbur edhe momentin kur aktorja Jennifer Hudson fitoi Oscar-in për Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor, si dhe performancën e kastit të filmit për këngën e nominuar.
Murphy humbi çmimin ndaj Alan Arkin, për rolin e tij në Little Miss Sunshine, dhe pranoi se e kishte parashikuar fitoren e tij që muaj më parë.
“Jeff Katzenberg më ftoi ta shihja Little Miss Sunshine gjashtë muaj para se të dilte në kinema,” tregoi ai. “Pasi mbaroi filmi, i thashë: ‘Ai rol do t’ia rrëmbejë Oscar-in dikujt.’ Dhe ja ku jemi,” tha Murphy me humor, duke shtuar më pas: “Jo, nuk mendoj se ma vodhi çmimin.”
Ai vlerësoi Arkinin, i cili u nda nga jeta në vitin 2023, duke thënë se fitorja e tij ishte plotësisht e merituar.
“Kur merr parasysh gjithë faktorët — karrierën, historinë, fushatat — ai e meritonte plotësisht Oscar-in. Ishte një aktor i jashtëzakonshëm,” u shpreh Murphy.
Aktori tha se pas nominimit kuptoi se fitimi i një Oscar-i nuk varet vetëm nga performanca.
“Nuk është një formulë: bën këtë, bën atë dhe fiton. Ka shumë gjëra të padukshme që ndikojnë — fushata, karriera, çfarë ‘të kanë borxh’,” shpjegoi ai.
Në dokumentarin e tij të ri “Being Eddie”, Murphy foli edhe për frustrimin që ndjente kur përgatitej për ceremoni dhe largohej pa çmim.
“Zakonisht nuk shkoja në evente çmimesh. Kur humbisja, mendoja: ‘Pse më bënë të vishem dhe të vij deri këtu? Mund të kisha humbur edhe nga shtëpia,’” tha ai me humor.











