POLITIKËTOP-NEWS

Dosja AKSHI/ Ahmetaj nxjerr listën me kompanitë afër Ramës që nuk paguajnë taksa

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të reja të rënda lidhur me Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit AKSHI, të cilën e cilësoi si “kopshti privat i Edi Ramës”, duke deklaruar se tenderat sekret me vlerë qindra milionë euro kanë përfunduar në duart e grupeve kriminale.

Në emisionin Çim Peka Live, Ahmetaj tha se këta tendera i janë dhënë personave dhe kompanive të lidhura me pushtetin, duke përmendur konkretisht Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin. Sipas tij, fondet publike të përfituara nga tenderat sekret të AKSH janë shoqëruar me një marrëdhënie promovimi politik, ku Beqiri, sipas Ahmetajt, promovon te Edi Rama kompani dhe shoqata që drejton.

Ahmetaj publikoi detaje të tjera, duke deklaruar se qeveria jo vetëm u ka dhënë tendera sekret këtyre subjekteve, por njëkohësisht ka krijuar edhe mekanizma për shmangien e taksave. Sipas tij, kompanitë janë regjistruar formalisht në qendrën Durana në Xhafzotaj, duke përfituar status fiskal të favorshëm, ndërsa aktivitetin real e zhvillojnë në Tiranë.

“Kur kanë bërë ligjin e Duranës, ja ku e ke Lira Kokonën me Ermal Beqirin, te lista e kompanive, ke dy kompani të Ermal Beqirit te lista dhe këtu shoqata me kryetar Ermal Beqirin promovon këtë burrin që u ka dorëzuar AKSHI-n. Këtë e bën Ermal Beqiri, shoqata. Ky i jep tendera, këto e promovojnë. Me standartin e SPAK-ut, të Altin Dumanit këta duhet të arrestohen të gjithë” tha Ahmetaj.

Ish zëvendëskryeministri shtoi se bëhet fjalë për 46 kompani të teknologjisë së informacionit, të cilat, megjithëse të regjistruara në atë që ai e quajti “parajsë fiskale” në Xhafzotaj, kanë zyrat reale në zemër të Bllokut, duke shmangur pagesën e detyrimeve tatimore në Shqipëri.

Gjatë intervistës, Ahmetaj ngriti gjithashtu dyshime për veprimet e SPAK, duke deklaruar se ende nuk po hetohet rrëmbimi i Daniel Shimës, ish zëvendësdrejtor i AKSH, një ngjarje që sipas tij ndodhi pas rrëmbimit të Gerond Meçes. Ahmetaj sugjeroi se këto ngjarje lidhen drejtpërdrejt me interesat dhe konfliktet për kontrollin e tenderave dhe të dhënave.

Në përfundim, Ahmetaj deklaroi se tenderat sekret të AKSH kanë kaluar në duart e grupeve kriminale, të cilat sipas tij kontrollojnë tashmë jo vetëm paratë publike, por edhe të dhëna të ndjeshme që lidhen me sigurinë kombëtare, duke e cilësuar situatën si një rrezik serioz për shtetin shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button