Leskaj dhe Bylykbashi takim me strukturat e PD në Shushicë

Bujar Leskaj dhe Aurel Bylykbashi takim me strukturat e PD në Shushicë (Llakatund)
Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, së bashku me Koordinatorin për Mbikëqyrjen e Analizës dhe Procesin Zgjedhor pranë Degës së PD Vlorë, z. Aurel Bylykbashi, zhvilluan një takim me strukturat e Partisë Demokratike në njësinë administrative Shushicë (Llakatund).
Gjatë takimit u diskutuan një sërë problematikash, me fokus kryesor analizën e zgjedhjeve të 11 majit 2025, ecurinë e procesit zgjedhor, çështjet e evidentuara gjatë fushatës dhe ditës së votimit, si dhe faktorët që ndikuan në klimën zgjedhore.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu në analizën e organizimit në terren, rolin e strukturave vendore, përfshirjen e anëtarësisë dhe mbështetësve, si dhe sfidat me të cilat u përball procesi zgjedhor, përfshirë presionet politike, përdorimin e burimeve shtetërore dhe problematikat që lidhen me administrimin e zgjedhjeve.
Deputeti Bujar Leskaj shprehu mirënjohjen për demokratët e kësaj zone, duke i falënderuar për punën e deritanishme dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Partisë Demokratike.
Në përfundim të takimit, u ritheksua nevoja për forcimin e strukturave të PD-së në njësinë administrative Shushicë, rritjen e bashkëpunimit me qytetarët dhe ndërtimin e një alternative politike të bazuar në transparencë, integritet dhe përfaqësim të interesave të komunitetit.
Në këtë takim morën pjesë gjithashtu anëtari i Këshillit Bashkiak Vlorë, z. Atird Hoxha, anëtari i Kryesisë së PD Vlorë, Prof. as. dr. Lorenc Danaj, si dhe kryetari i grupseksionit Shushicë, z. Luli Petani, i cili ishte edhe organizatori i takimit.









