AKTUALITETTOP-NEWS

‘Nuk do kesh njeri tjetër’, ultimatumet e Refit Buzit ndaj ish-të fejuarës/ Tragjedia në Fier i paralajmëruar disa herë, dëshmia e Rozalinda Plakës

Ngjarja tragjike e ndodhur në Fier në muajin korrik, ku Refit Buzi vrau prindërit e ish-të fejuarës së tij dhe më pas e mori atë peng, duket se ishte paraprirë nga një histori e gjatë përndjekjeje, kërcënimesh dhe denoncimesh.

Sipas dosjes së prokurorisë, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Rozalinda Plaka kishte kërkuar më herët ndihmën e autoriteteve për sjelljen e ish-partnerit të saj. Çifti ishte ndarë pas një lidhjeje të gjatë, por Buzi nuk e kishte pranuar ndarjen dhe kishte vijuar të kërkonte rikthimin e marrëdhënies.

35-vjeçari kishte vuajtur edhe më parë dënim për përndjekje, ndërsa ndaj tij ishte vendosur një Urdhër Mbrojtjeje. Megjithatë, pas daljes nga burgu më 19 mars, ai dyshohet se vijoi ta kontaktonte 23-vjeçaren duke përdorur numra të ndryshëm.

Në kallëzimin e saj të 22 prillit, e reja ka përshkruar disa prej episodeve që kishte përjetuar. Ajo ka deklaruar se ish-i fejuari i dilte vazhdimisht përpara pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, ku ajo kryente praktikën si infermiere, si dhe në lokale përreth.

Një prej episodeve ka ndodhur gjatë një udhëtimi me makinën e tij drejt një hoteli në Novoselë. Sipas dëshmisë, kur ajo refuzoi të zbriste nga automjeti, Buzi e kërcënoi se do të dëmtonte veten.

Dëshmia e Rozalinda Plakës:

“Zbrit nga makina dhe hyjmë që të vërtetoj që unë nuk të prek me dorë pa dëshirën tënde. Ose zbrit ose unë do djeg veten me benzinë para teje ose ti do më vrasësh mua pa e marrë vesh njeri dhe do i hipësh taksisë dhe do ikësh pa e marrë vesh njeri… Unë nuk jam kafshë dhe ato veprime që i kam bërë më para se të futesha në burg i kam bërë se nuk kam qenë mirë mendërisht”

Sipas dosjes, pas largimit nga hoteli, gjatë një dreke, Buzi i kishte vendosur tre kushte ish-të fejuarës, duke i bërë të qartë se nuk e pranonte ndarjen dhe se do të vijonte ta kërkonte.

Në dëshminë e saj, 23-vjeçarja ka treguar edhe kërcënimet që, sipas saj, ai i kishte bërë ndaj familjes.

Po ashtu ajo ka deklaruar se e ka kërcënuar me fjalët: Do t’ju shuaj si familje, do të vras prindërit!”.

Nëna e Rozalindës kishte kërkuar ndërhyrje nga institucionet, duke argumentuar se situata po ndikonte rëndë në jetën, shëndetin dhe arsimimin e vajzës së saj.

Edhe vetë Buzi, gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit, kishte pranuar se kishte kontaktuar ish-partneren pavarësisht se ishte në dijeni të Urdhrit të Mbrojtjes.

“E kam kontaktuar sepse e dua dhe ndjej akoma për atë, dua të lidhem përsëri… Nuk kam mundur dot ta lë të qetë”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Pas denoncimit, policia e Fierit e arrestoi sërish. Në kuadër të hetimeve u sekuestruan telefonat e të dyja palëve, ku sipas dosjes u gjetën dhjetëra komunikime, telefonata dhe mesazhe zanore me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese.

Pak muaj më vonë, konflikti mori një kthesë tragjike. Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës, ku qëlloi për vdekje prindërit e saj dhe më pas e mori 23-vjeçaren peng. Pas disa orësh negociata me policinë, ai e liroi të renë dhe më pas vrau veten brenda automjetit.

Familjarët e Buzit kanë pretenduar se konflikti mes dy të rinjve lidhej edhe me një shumë të konsiderueshme parash që, sipas tyre, ai ia kishte dhënë më herët ish-partneres dhe që ajo nuk pranonte t’ia kthente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button