AKTUALITETTOP-NEWS

Alarm në fshatin Kutë, rezervuari me inerte, banorët: Rrezikohet vaditja e 500 ha tokë

MallakastërSituata në fshatin Kutë po ngre shqetësime serioze, pasi rezervuari vaditës i zonës po mbushet me inerte në një periudhë kur duhet të grumbullojë ujë për sezonin e verës. Banorët paralajmërojnë se kjo situatë rrezikon vaditjen e rreth 500 hektarëve tokë bujqësore dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore.

Në këtë periudhë të stinës së dimrit, kur rezervuarët duhet të grumbullojnë sa më shumë ujë për nevojat e verës, banorët e fshatit Kutë denoncojnë një situatë shqetësuese. Sipas tyre, rezervuari vaditës i zonës po përdoret si vend depozitimi për mbeturina inerte, duke rrezikuar seriozisht kapacitetin e tij.

Banorët shprehen të alarmuar dhe ngrejnë dyshime se hedhja e inerteve po bëhet me dijeni apo nga vetë strukturat e bashkisë, në një kohë kur, sipas tyre, rezervuari duhet të pastrohet dhe jo të mbushet.

Ky rezervuar shërben për vaditjen e rreth 500 hektarëve tokë bujqësore, të cilat i përkasin dy fshatrave.

Sipas banorëve, nëse situata vijon kështu, gjatë verës do të ketë mungesë të theksuar uji, duke rrezikuar prodhimin bujqësor dhe jetesën e dhjetëra familjeve.

Hedhja e inerteve ka bllokuar edhe tubin shkarkues që përdoret kur rezervuari tejmbushet dhe në verë për daljen e ujit për vaditje.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, pastrimin e menjëhershëm të rezervuarit dhe marrjen e masave konkrete për ta mbrojtur atë. / ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button