TECH

Telefoni olimpik Samsung që po bën bujë në Milano Cortina

Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina nisin zyrtarisht më 6 shkurt dhe do të mbledhin rreth 3,800 sportistë nga e gjithë bota, të cilët do të garojnë për dy javë në 16 disiplina, nga skitë alpine te patinazhi artistik.

Por përveç garave, lind edhe një pyetje praktike: si qëndrojnë të lidhur mijëra atletë brenda Fshatit Olimpik? Përgjigjen këtë vit e jep Samsung, me një pajisje të re dhe ekskluzive.

5
4

Samsung Galaxy Z Flip7 Olympic Edition do t’u shpërndahet falas të gjithë atletëve olimpikë dhe paralimpikë në Milano Cortina, duke u mundësuar të komunikojnë me fansat, të bëjnë selfie në podium dhe të ndjekin aktivitetin e tyre fizik. Ky model futurist, i zbukuruar me unazat olimpike, nuk do të dalë në shitje dhe do të jetë i disponueshëm vetëm për sportistët, nga 30 janari.

Redaktorja e Shkencës dhe Teknologjisë në Daily Mail, Shivali Best, ishte ndër të parat që e testoi pajisjen — dhe zbuloi një veçori që pritet të jetë veçanërisht popullore te atletët beqarë.

Dizajni

Telefoni “flip”, shumë i dashur në fillim të viteve 2000, rikthehet në version modern. Galaxy Z Flip7 Olympic Edition ka dizajn me kapak, me ekran 6.9 inç që paloset më dysh, ideal për t’u futur lehtësisht në xhepin e një tute sportive.

Ndryshe nga versioni standard që vjen në katër ngjyra, edicioni olimpik ka një ngjyrë blu mbretërore ekskluzive, e cila sipas Samsung përputhet me stilin unik të Milano Cortina 2026. Korniza metalike është në ngjyrë ari, ndërsa pjesa e pasme mban unazat olimpike, simbolin paralimpik dhe logon e Samsung.

Telefoni vjen gjithashtu me një sfond special të Lojërave Dimërore, që të kujton gjurmët e patinave mbi akull. Një dizajn elegant, që padyshim tërheq vëmendje – ndoshta edhe frymëzon ëndrrën për medaljen e artë.

3
2

Aplikacionet

Pajisja vjen e pajisur me aplikacione të dedikuara për atletët, por lejon edhe shkarkime shtesë. Mes tyre janë Athlete365 për performancën dhe shëndetin mendor, si dhe aplikacioni zyrtar i Lojërave Olimpike.

Por aplikacioni që pritet të bëjë diferencën është Galaxy Athlete Card. Ai krijon një kartë personale për çdo atlet, me foto, emër, sport, shtet përfaqësues dhe… një link direkt për Instagram. Samsung thotë se ky funksion nxit lidhjen mes sportistëve — dhe pa dyshim do të jetë shumë i përdorur nga beqarët që duan të “rrëshqasin” në mesazhet private gjatë Lojërave.

Kamera

Galaxy Z Flip7 ka sistem të dyfishtë kamerash të pasme: 50MP kryesore dhe 12MP ultra-wide. Atletët mund të bëjnë foto kudo në Fshatin Olimpik, përfshirë edhe “Victory Selfies” në podium me rivalë dhe shokë skuadre.

1

Veçoria më interesante është Dual Recording, që përdor njëkohësisht kamerën e përparme dhe të pasme, duke regjistruar si atë që shihni, ashtu edhe reagimin tuaj. Qoftë gjatë një bisede emocionale me familjen pas fitimit të një medaljeje, apo gjatë ndjekjes së një gare dramatike, kjo veçori e bën përvojën shumë më personale për fansat.

Inteligjenca Artificiale

Si çdo model i ri, edhe Z Flip7 vjen me mjete AI. Funksioni Now Brief u jep atletëve përditësime të personalizuara ditore, me kujtesa, evente dhe përmbledhje të aktivitetit fizik.

Ndërkohë, mjeti Interpreter ofron përkthim në kohë reale, edhe pa lidhje interneti — tepër i dobishëm në zonat malore ku sinjali është i dobët.

Për fat të keq për publikun e gjerë, Samsung Galaxy Z Flip7 Olympic Edition nuk do të shitet. Nëse nuk garon në Lojërat Olimpike Dimërore, do të duhet ta admirosh vetëm nga larg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button