POLITIKË

“Qen që lehin, telendarë…” Rama shan nga helikopteri ata që i ankohen për rrugët

Të gjithë ata që ankohen sot për rrugët e shembura dhe bllokimet e qarkullimit duhet të kuptojë se nga sedilja e helikopterit kryeministri Edi Rama i ka krahasuar me “qen që lehin” ose me njerëz “telendarë”, “tenxhere” dhe “dallavere”, të cilët e kanë shpirtin e mbushur me “ligësi” dhe që i kap “histeria” sa herë ndodh ndonjë problem në qarkullim.

Rama ka publikuar një mesazh plot mllef në rrjetin social X duke nxjerrë një batërdi sharjesh, drejtuar kryesisht gazetarëve por edhe atyre që janë shprehur në rrjetet sociale për izolimin e juglindjes së vendit.

Mesazhi, që duket se është shkruar ndërsa Rama ishte duke fluturuar me helikopter drejt Korçës përfshin edhe një justifikim për këtë fluturim sot, sa qesharak aq edhe banal, kur thotë se helikopteri i Forcave të Armatosura “me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!”. Puna e mirë që po bën kryeministri sot është vizita nëpër aktivitete të tilla si ky në Korçë për të inspektuar “Polin e dijes”.

Duhet thënë se Rama mund të kishte zgjedhur të udhëtonte me makinë drejt Korçës si gjithë qytetarët e tjerë të Pogradecit, Korçës, Ersekës apo zonave të tjera të juglindjes që nisen drejt Tiranës dhe anasjelltas, dhe që janë detyruar të marrin rrugën për nga Maqedonia, ose nga Tepelena ose nga Gramshi. Por kryeministri siç duket e ka parë të udhës të shfrytëzojë helikopterin që ka në dispozicion nga Forcat e Armatosura.

Privilegji që i lejon vetes për të fluturuar me helikopter gjithsesi nuk e pengon Ramën ta vazhdojë ta quajë veten “kryeshërbëtor” të shqiptarëve që siç e saktëson ai “i çmon shumë”, aq shumë sa ky reagim me qen, me telendarë dhe me histerikë, ishte i pari i kryeministrit, që nga bllokimi i rrugës, e cila ka dy ditë që ka izoluar një pjesë të mirë të vendit.

Më poshtë lexoni mesazhin e plotë të Ramës për ata që ankohen për bllokimin e rrugës në Librazhd:

Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!

Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!

Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!

Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë. Ndërsa për fluturimin tim mbi aksin e bllokuar, kam edhe këto dy fjalë:

E para, i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfilluar rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike!

E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri.

Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten.

*për qartësi, bashkëlidhur është rrëshqitja aktuale në Itali, se gati janë ta transferojnë në Shqipëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button