RENEA zbarkon në Vlorë/ Operacion policor në Ujin e Ftohtë, rrethohet kompleksi “Oslo” në Lungomare

Vlorë – Orët e para të mëngjesit e kanë gjetur qytetin e Vlorës nën një aksion të gjerë policor, ku janë angazhuar forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe trupat elitare të RENEA-s. Operacioni është përqendruar në zonën e Ujit të Ftohtë, përgjatë Lungomares, ku një prej komplekseve të njohura të banimit, i njohur si kompleksi “Oslo”, është rrethuar nga forcat e policisë.
Sipas informacioneve paraprake, aksioni ka nisur gjatë orëve të natës dhe vijon ende, ndërsa zona mbetet nën kontroll të rreptë të uniformave blu. Forcat RENEA, së bashku me struktura të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, po zhvillojnë kontrolle të imtësishme në banesa dhe ambiente të ndryshme brenda kompleksit dhe në zonën përreth.
Burime nga terreni bëjnë me dije se gjatë operacionit po verifikohen edhe persona të dyshuar që mund të kenë precedentë kriminalë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që aksioni të lidhet me hetime në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.
Sipas informacioneve paraprake, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar shtatë urdhër-arreste në kuadër të një hetimi për krime të rënda. Mes personave për të cilët është firmosur masa e arrestit janë edhe Flodian Plaku dhe Ervis Matodoshaj.
Burime bëjnë me dije se disa nga personat e përfshirë në këtë operacion kanë pasur probleme të mëparshme me drejtësinë, ku dy prej tyre rezultojnë të arrestuar më herët në Itali, ndërsa një tjetër është ndaluar në Janinë të Greqisë. Sipas të dhënave paraprake, operacioni lidhet me zbardhjen e një vrasjeje dhe hetimet vijojnë.
Perimetri i zonës është vendosur nën masa të forta sigurie. Forca të shumta policore kanë bllokuar hyrje-daljet kryesore dhe po kryejnë kontrolle të detajuara, ndërsa monitorimi i territorit po bëhet edhe nga ajri me dron, për të mbuluar çdo lëvizje brenda dhe përreth zonës së Ujit të Ftohtë.
Deri në këto momente, autoritetet policore nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar për natyrën e operacionit apo për persona të ndaluar, ndërsa aksioni policor vijon dhe pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion nga strukturat e Policisë së Shtetit.









