Intervistë me autorin Klajdi Thaçi: Letërsia si mision për të gjetur njeriun

3 Marsi shënon Ditën Botërore të Shkrimtarëve, një ditë që prej vitit 1986 i kushtohet fjalës së lirë dhe mendimit krijues. Është një ndalesë simbolike në kalendar, për të kujtuar ata që përmes letërsisë ndërtojnë ura mes njerëzve, kohëve dhe botëve të brendshme. Kjo ditë nderon poetët, romancierët, eseistët, por mbi të gjitha nderon guximin për të thënë të vërtetën përmes artit. Sepse fjala, edhe në epoka zhurme e shpërqendrimi, mbetet një nga format më të fuqishme të rezistencës njerëzore.
Shkrimtarët janë ata që zgjedhin të rrëfejnë, të vënë në pikëpyetje, të zbërthejnë njeriun dhe kohën në të cilën ai jeton. Në një realitet ku gjithçka lëviz me shpejtësi dhe harrohet po aq shpejt, shkrimtari është ai që i jep peshë asaj që duket e lehtë, thellësi asaj që duket sipërfaqësore dhe përjetësi asaj që kalon si një çast.
Një prej zërave të veçantë në letërsinë bashkëkohore shqipe është Klajdi Thaçi. Me një përvojë të gjerë në media, televizion dhe komunikim publik, ai vjen nga një botë ku fjala është mjet pune i përditshëm. Megjithatë, siç shprehet edhe vetë, letërsia është fusha që e ka zgjedhur atë. Gazetar dhe profesionist i komunikimit, por mbi të gjitha autor i katër romaneve, Thaçi ka ndërtuar një univers letrar, me elemente distopike dhe tone humaniste, ku ndërthuren kërkimi i së vërtetës, reflektimi filozofik dhe shqetësimi për fatin e njeriut, sidomos në një botë gjithnjë e më të virtualizuar.
Në Ditën Botërore të Shkrimtarëve, bisedojmë me Klajdi Thaçin jo vetëm për librat, por për procesin krijues, misionin dhe mënyrën se si ai e sheh rolin e shkrimtarit sot.
1. Klajdi, një zë sa i ri në energji dhe qasje, po aq i konsoliduar në letërsinë shqiptare: me katër romane që mbajnë emrin tend. Si e sheh evolucionin e zërit tënd nga veprat e para deri sot?
Me vitet që kalojnë përvojat shtohen, e bashkë me to, edhe informacioni në të pandërgjegjshmen time, si në atë të çdo njeriu tjetër. Këto shtesa pa dyshim që kanë ndikim dhe në mënyrën se si shkruaj apo në atë që shkruaj. Edhe pse nuk kanë kaluar shumë vite nga shkrimi i historisë së parë, mendoj se jeta ime ka qenë shumë intensive dhe me surpriza e kthesa të befasishme, të cilat kanë lënë padyshim gjurmën e tyre. Nuk di nëse ka ndodhur një evolucion, ajo që di është se gjatë kohës që kam shkruar secilin roman jam ndier ndryshe dhe kam qenë në rrethana e gjendje emocionale të pakrahasueshme me njëra-tjetrën. Kjo ka ndikuar që secili prej tyre të ketë një identitet të pavarur.
2. Në librat e tu ke trajtuar tema që prekin marrëdhëniet njerëzore, dilemat morale, tensionet shoqërore. Çfarë të frymëzon më shumë: realiteti i përditshëm, përvoja personale, apo ajo psikologjia dhe ‘fijet’ e padukshme që fshihen pas sjelljeve të njerëzve?
Të gjitha bashkë. Mendoj se njeriu është një univers më vete, shumë kompleks…sa misterioz, aq edhe i lexueshëm. Dhe pikërisht kur mendon se ke kuptuar diçka rreth tij, atëhere jeta të ndesh me disa rrethana të reja, me stimuj të rinj, të cilët të bëjnë të zbulosh anë të tjera të realitetit, e të vet njeriut, që mendoje se e njihje aq mirë. Ndonjëherë më duket sikur i gjithë njerëzimi me kalimin e kohës futet në frekuenca të reja, ndodh një evolucion i caktuar me të, që ndikon edhe në kuptimin që ne kemi rreth tij. Unë shkruaj çdo gjë që më vjen në mend, bazuar në atë që shoh e kuptoj si vëzhgues, apo që përjetoj vetë si individ.
Shkruaj dhe për gjëra që as i kam parë e as i kam përjetuar, për aq sa unë jam i vetëdijshëm, për ide që shfaqen atypëraty gjatë krijimit, e që unë i konsideroj si bekim. Kur jam vetëm, me pak muzikë në sfond (gjithmonë me muzikë) arrij të zbuloj disa botë brenda meje për të cilat në kushte të tjera nuk jam i vetëdijshëm se ekzistojnë, ose ato shfaqen vetëm atëhere, kur unë shkruaj.
3. Kur nis të shkruash një roman, çfarë lind e para brenda teje: një personazh, një konflikt, apo një ide/ mesazh që kërkon të marrë formë?
Zakonisht më vjen një titull ose një ide shumë e përgjithshme, e cila shoqërohet me një ndjesi që lë përbrenda. Pra, unë e di paraprakisht impaktin emocional dhe efektin që do të ketë vepra që para se ta shkruaj, dhe në fund, ashtu ndodh të jetë. Të gjithë rrëfimin ia lë në dorë zërit brenda meje, i cili flet, ndërsa unë mbaj shënim. E kam pagëzuar dhe me emër muzën time, haha. Një emër që nuk e ndaj me askënd.
4. Shkrimi shpesh kërkon vetmi dhe një përballje të drejtpërdrejtë me veten. Si e përjeton ti këtë proces? Ke një ritual apo disiplinë të caktuar që të shoqëron kur shkruan?
Është procesi që më përmbush më së shumti, gjatë të cilit kuptoj më shumë vlerën e jetës, bukurinë e saj, e mbushem me mirënjohje. Ndiej mirënjohje për çdo mendim, çdo ide që rrjedh e vjen në atë çast.
Ndiej se jam në tokën time, duke përmbushur një mision që më ka zgjedhur.
Nuk kam nevojë t’i pëlqej njeriu, të ruaj balanca, apo të kujdesem se mos lëndoj dikë. Mund të eksploroj çdo anë njerëzore timen, por edhe të botës jashtë, pa druajte apo dyshime. Kur shkruaj ndiej dhe fuqinë e bekimin e diçkaje më të madhe se të gjithë ne. Fundi i çdo romani, më gjen me një besim edhe më të fortë. Kur shkruaj kam shumë disiplinë. E shtyj nisjen e shkrimit deri në çastin kur kuptoj se koha ka ardhur. Kur ajo vjen, ulem thuajse çdo ditë, deri në përfundim të historisë. Mund të pohoj se çdo libër që po shkruaj, po më merr gjithmonë e më shumë kohë, e nuk e di nëse kjo ka të bëjë me durimin, apo me intensitetin e jetës dhe përgjegjësitë që rriten.
5. A ka momente bllokimi? Kur fjalët nuk vijnë, si e gjen sërish ritmin e brendshëm?
Bllokime të çastit edhe mund të ketë, por jo bllokime që mund të zgjasin me ditë apo për shumë kohë. Edhe pse besoj se deri tani kam thënë shumë, nuk mendoj se i kam thënë ende të gjitha. Çdo ditë mësoj, çdo ditë kuptoj diçka të re, që nuk e di nëse është më e mirë apo më e keqe se ato që kam ditur e kuptuar më parë, por di se është përvojë njerëzore. Çdo këndvështrim, përballje apo mësim vlen të shkruhet. Me siguri dikush do e gjejë veten.
Unë besoj se shumica e librave vijnë te ne në kohën e duhur, sidomos kur zgjedhjet i bëjmë paksa në mënyrë intuitive, dhe jo racionale, apo duke u ndikuar nga faktorë të jashtëm. E vë re këtë edhe me librat e mi. Disa nga lexuesit, e sidomos ato më besnikët, çuditërisht kanë të përbashkëta me historitë që kam shkruar, apo qoftë dhe me mua vetë.
6. Sa e rëndësishme është për ty të eksperimentosh: qoftë me stilin, qoftë me temat? A e ndjen si domosdoshmëri sfidimin e vetes në çdo projekt të ri?
Unë jam gjithmonë i gatshëm të eksperimentoj dhe të dal përtej çdo kornize të njohur apo të mirëpranuar. Kjo në radhë të parë lidhet me natyrën time që nuk e ka shumë qejf monotoninë dhe kërkon gjithmonë të argëtohet duke shkelur territore të reja.
Gjithashtu, kam dashur gjithmonë të ruaj autenticitetin tim, e të mos i ngjaj askujt, edhe pse kjo është deri diku e pamundur në vitin 2026. Ka patur, e do ketë gjithmonë njerëz që mendojnë si ne apo që na ngjajnë. Megjithatë, mënyra se si mund të arrish të jesh autentik, për aq sa një njeri mund të jetë i tillë, është duke i qëndruar besnik ndjesive, ideve, asaj që ti si krijues përjeton gjatë realizimit të veprës, pa hyrë në procese logjike e llogari të tjera.
7. Ka autorë që thonë se, në një pikë të caktuar, historia fillon t’i shkruajë ata vetë. Të ka ndodhur ndonjëherë të transformohesh teksa shkruan?
Kur shkruaj zbuloj shumë për veten e për botën. Kuptoj se di më shumë nga sa jam i ndërgjegjshëm gjatë ditëve rutinë. Transformimi ndodh sepse hyj në botëkuptimin e disa personazheve njëkohësisht, bëhem pjesë e disa jetëve, por edhe sepse bëj një gjë që me entuziazmon dhe që më mban të lidhur me diçka që botës sot po i mungon. Kur shkruaj ndihem i lidhur më shumë se kurrë me njeriun brenda vetes dhe kuptoj se sa bukur është të jesh i tillë. Jo rastësisht në librat e mi ka shumë mesazhe humaniste.
Më vjen keq për mënyrën se si realiteti virtual ka ndikuar te njerëzit, duke i bërë gjithmonë e më të pavërtetë e të pandjeshëm. Dhe ajo për të cilën më vjen akoma më shumë keq, është fakti që e gjithë bota është nisur vrullshëm në drejtime dehumanizuese, e kam frikë se pavarësisht dëshirës e vullnetit për të mos shkuar në atë anë, nevoja për mbijetesë, për t’u kuptuar e pranuar, nuk do të lërë askënd pa prekur. E nëse kjo ndodh, kush do të jetë zgjuar e i ndërgjegjshëm mjaftueshëm që t’i bëjë njerëzit të vetëdijshëm se pulsi i tyre në fakt ka vdekur?!
Më vjen keq që jetoj në këtë kohë, por njëkohësisht besoj, siç e kam shkruar te “Porta e Shtatë” se një ditë me të vërtetë do të rinisë gjithçka nga e para. Pas tejngopjes me botën e rreme, faktor krijues i së cilës ka qenë edhe teknologjia, besoj fort se njerëzit do kthehen sërish te natyra, tek e thjeshta, tek e vërteta, te vetë jeta.
8. Ndihesh më i lirë kur ndërton botë imagjinare dhe të largëta, si te “Porta e Shtatë”, apo kur prek realitetin e drejtpërdrejtë të marrëdhënieve dhe përditshmërisë njerëzore?
E gjej veten në të dyja botët dhe besoj se do të shkoj vazhdimisht sa te njëra, te tjetra. Te “Porta e Shtatë” megjithatë, edhe pse atmosfera që krijohet dhe kushtet në të cilat vendosen personazhet ngjajnë jo reale, esenca e romanit, filozofia e tij, e kuptimet që vijnë pas simbolikave, mendoj se janë shumë të vërteta dhe realiste.
Mënyra se si e shohim dhe perceptojmë realitetin ka të bëjë paksa dhe me botëkuptimin. Ne dimë aq sa njohim dhe shpesh besojmë se ajo, në fakt, është e vërteta. Prandaj mua më pëlqen shumë të luaj me nocionin e së vërtetës, i cili është pjesë e të katër librave, i trajtuar në forma të ndryshme.
9. Ritmi i botës sot është i shpejtë, vëmendja dhe përqendrimi gjithmonë në tkurrje. Leximi shpesh shihet i sfiduar nga teknologjia dhe format e reja të komunikimit. Si e sheh rolin e shkrimtarit sot? A ka ende letërsia impaktin e dikurshëm? Dhe a mendon se do t’i mbijetojë teknologjisë?
Është një botë shumë e madhe dhe nuk mund të jap përgjigje absolute. Nga vendi në vend, e nga kultura në kulturë, ka ndryshime, edhe pse disa prirje tërësore ekzistojnë. Njerëzit sot janë konsumatorë të një sasie më të madhe informacioni, të shpërndarë në disa mediume e burime. Për rrjedhojë, kjo ka sjellë reduktim të vëmendjes, veçanërisht ndaj përmbajtjeve letrare e artistike.
Situata më duket më pesimiste në vende si Shqipëria, ku masa është më e prirur të përqafojë trende globale negative, duke qenë se njerëzit këtu kanë një prirje më të theksuar për të imituar dhe për të qenë si të tjerët. Pra, nëse një rrjet social, një stil veshjeje apo një qasje e caktuar bëhet diku e pëlqyeshme, në vendin tonë, masa fillon të ndjekë atë model sjelljeje e të asimilohet shumë shpejt. Në shoqëri të tjera, ku individualiteti dhe autenticiteti te njerëzit është më i spikatur, edhe modelet e sjelljes apo të konsumit dallojnë. Libri në vende të tilla vijon të ketë fuqinë dhe ndikimin e tij.
Nuk besoj se letërsia do ta humbasë pushtetin e saj. Do të ishte fatkeqësi nëse diçka e tillë do të ndodhte, duke qenë se unë e shoh atë si formën më të lartë të sofistikimit njerëzor, dhe si mjetin më të fuqishëm shprehës që përmbledh përvojën njerëzore. Sa herë ju ka ndodhur, që ndjesi e mendime shumë intime tuajat, të mos i gjeni askund tjetër, veçse në një libër? Mungesa e prezencës së letërsisë do t’i bënte njerëzit të vetmuar.
10. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që ke hasur si shkrimtar shqiptar në kontekstin e letërsisë bashkëkohore?
Sfidat janë të shumta, padyshim, sepse ne, në tërësi, jemi një popull që nuk para beson në vlerat që mund t’i ketë pranë. Thyerja e dyshimit dhe skepticizmit të një shqiptari, për një tjetër shqiptar që nuk e njeh, sigurisht do kohën e vet. Kjo është sfida më e madhe: që ata të të japin një mundësi për të të njohur. Nga lexuesit kam marrë mesazhe shumë të përzemërta, dhe një pjesë e tyre janë shndërruar dhe në lexues besnikë të librave të mi.
Por përpos mentalitetit, kontributi për përkthimin e autorëve shqiptarë dhe përpjekjet institucionale për t’i promovuar ato, duhet thënë se janë shumë të pakta. Autori është thuajse i vetëm në luftën për t’i dhënë zë veprës së tij. Të bësh letërsi në Shqipëri dhe të arrish me të diku, do guxim, besim dhe një pasion të çmendur. Është si t’i hysh detit në këmbë. E, megjithatë, pavarësisht kushteve e sfidave, gjithmonë ia vlen të ndjekësh misionin dhe ëndrrën tënde, edhe aty ku pak arsye ka për të qenë optimist. Me besim dhe këmbëngulje diku do të arrish.
11. Si e koncepton marrëdhënien mes autorit dhe lexuesit? A duhet letërsia të udhëzojë, të provokojë, apo thjesht të hapë hapësirë për reflektim?
Letërsia duhet të reflektojë atë që është njeriu, me të gjithë pasiguritë, çmenduritë, ëndrrat, shpresat, besimet, frikërat, çdo gjë që ai ndien në mënyrë të natyrshme si qenie humane. Autori duhet të shkruajë për ato tema që e ngacmojnë, shqetësojnë, kuriozojnë më së shumti, pavarësisht se cilat mund të jenë ato. Çdo libër, çdo histori do të ketë lexuesin e vet. Mjafton që një autor të mos shkruajë nisur nga egoja, apo qëllime pragmatiste.
Letërsia nuk duhet të bëjë asgjë për hir të “duhet”. Letërsia duhet të sjellë me vërtetësi njeriun, në të gjitha dimensionet dhe format e shprehjes së tij.
12. Në këtë fazë të rrugëtimit tënd krijues, çfarë kërkon nga vetja? Çfarë lloj gjurme do të doje të lërë emri yt në letërsinë shqiptare?
Nga vetja kërkoj vetëm disiplinën e duhur në menaxhimin e kohës, që të mund të realizoj edhe disa ide të tjera të cilat më sillen vazhdimisht ndërmend. Nuk është një objektiv që arrihet thjesht, sepse në Shqipëri, por edhe në botë, nuk para ka shkrimtarë me kohë të plotë. E për rrjedhojë, të duhet të ndërtosh një karrierë në një fushë tjetër, e të menaxhosh disa aspekte të jetës personale, krahas shkrimit e letërsisë, që kërkojnë gjithashtu hapësirën e dedikimin e tyre.
Gjurma më e rëndësishme që dua të lë, është ajo e prekjes njerëzore, në shpirtin e çdo lexuesi që merr në dorë një vepër timen. Nëse arrij të zgjoj aspekte të njerëzores te lexuesit, mendoj se e kam arritur qëllimin.
13. Je duke punuar për një projekt të ri? Çfarë mund të presim nga Klajdi në vazhdim?
Kam shkruar shumë pak, vetëm hyrjen, por e kam ndjesinë e asaj që ky projekt do të jetë, dhe e di se do të kërkojë kohë, e impenjim të realizohet, duke qenë se do të preken tema të forta e të ndjeshme. Çdo gjë do të ndodhë në kohën e duhur.











