Arkeologët zbulojnë pjesë të një ndërtese të lashtë në Lushnje

Kodra e Pusit në fshatin Murriz, në skajin lindor të bashkisë Lushnje, pranë kufirit me bashkinë e Belshit, është bërë prej disa javësh stacion i gërmimeve arkeologjike nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Arkeologët kanë zbuluar pjesë të një ndërtese që, sipas tyre, daton në shekujt e 4-6 pas Krishtit. Gërmimet janë përqendruar në një pikë të lartë me pamje panoramike të jashtëzakonshme, nga ku duken qyteti i Peqinit në veri, Belshi në lindje, Lushnja në perëndim dhe Kuçova në jug.
Materialet e gjetura, përfshirë pjesë qeramike, monedha të ndryshme, themele dhe mure ndarëse, sugjerojnë për një vendbanim të hershëm ilir, por detajet e plota do të zbardhen me avancimin e gërmimeve, shpjegon arkeologu Andrea Pambuku.
“Ky zbulim dhe dy të tjerë në afërsi i shtohen bashkisë Lushnje, duke kompletuar infrastrukturën arkeologjike që më vonë mund të kthehet në atraksione turistike,” shprehet Niko Ferrë, drejtor i Muzeut Historik të Lushnjes.
Ekspertët besojnë se këto vendbanime mund të lidhen me zgjatime të rrugës së vjetër Egnatia, e cila lidhte Perandorinë Romake deri në Konstandinopojë, duke i dhënë kësaj zone një rëndësi historike dhe strategjike të madhe.









