SPORTTOP-NEWS

FLAMURI KUQEZI MBULON FIERIN/ Mesazh bashkimi në ditën e ndeshjeve vendimtare të Kombëtares dhe Kosovës

Fier – Në një ditë të veçantë për futbollin shqiptar, ku Kombëtarja e Shqipërisë dhe Kombëtarja e Kosovës zbresin në fushë për ndeshjet kualifikuese drejt Botërorit, një simbol i fortë kombëtar ka tërhequr vëmendjen në zemër të Fierit.

Një flamur gjigant kuqezi është shpalosur mbi godinën e ish-Turizmit, në qendër të qytetit, duke krijuar një pamje mbresëlënëse dhe emocionale për qytetarët.

Nisma vjen nga Kristal Ziu, kryetar i Shoqatës Kombëtare për Bashkim dhe Identitet Kombëtar, i cili theksoi se ky veprim është një mesazh simbolik bashkimi në një ditë ku dy përfaqësueset shqiptare luftojnë për të njëjtin objektiv.

Sipas tij, flamuri nuk është shpalosur për herë të parë. Ai është ngritur edhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarë, si në Kosovë, Mal të Zi dhe në treva të ndryshme shqiptare, duke u kthyer në një simbol të unitetit kombëtar.

Ky gjest përkon pikërisht me përballjet e sotme, ku Shqipëria dhe Kosova synojnë një hap të rëndësishëm drejt fazës “play-off” për Kampionatin Botëror, duke e bërë flamurin kuqezi jo vetëm një simbol identiteti, por edhe një motivim për tifozët dhe ekipet në fushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button