AKTUALITET

Eliminimi i Shqipërisë “ndez” Fierin/ Tifozët shpërthejnë pas humbjes në Varshavë, dëmtohen dekorimet në qytet

Fier – Eliminimi i kombëtares shqiptare në gjysmëfinalen e Play-Off-it për Botërorin, pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë në Varshavë, ka sjellë jo vetëm zhgënjim, por edhe tensione të forta në qytetin e Fierit.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, një grup tifozësh fierakë, të revoltuar nga rezultati, kanë shpërthyer duke dëmtuar zbukurimet e vendosura në qendër të qytetit. Sipas burimeve nga vendngjarja, dekorimet janë shkatërruar me mjete të forta, ndërsa situata ka qenë e tensionuar për disa minuta.

Në zonë kanë mbërritur forcat e policisë. Fatmirësisht nuk raportohen persona të lënduar, por dëmet materiale.

Ndërkohë, në një tjetër incident të ndodhur po në qytet, një automjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur në rrethrrotullimin e Sharrës. Nuk dihet ende nëse ngjarja ka lidhje direkte me tensionet e krijuara pas ndeshjes.

Ironikisht, vetëm pak orë para sfidës, në qendër të Fierit ishte shpalosur një flamur gjigant kuqezi mbi një godinë, si simbol mbështetjeje për kombëtaren. Një atmosferë festive që u zëvendësua shpejt nga zhgënjimi dhe zemërimi, pas humbjes që i preu rrugën Shqipërisë drejt një ëndrre botërore.

Autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e vandalizmit, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve për qetësi dhe shmangie të veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button