AKTUALITET

 Terror në një lokal në Kavajë, prangoset 28-vjeçari i armatosur

Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kavajës morën njoftim, rreth orës 09:40 të ditës së diel, se një person i armatosur kishte hyrë në një bar-kafe në lagjen nr. 2, të qytetit ku kishte kanosur klientët dhe kishte goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit.

Uniformat blu thonë se menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë, por për t’i shpëtuar policisë, personi i armatosur ishte larguar me shpejtësi me automjet dhe gjatë largimit kishte dëmtuar edhe një makinë të parkuar.

Pas kësaj shërbimet e policisë u vunë në ndjekje, duke koordinuar veprimet me Forcat Operacionale të DVP Durrës. Gjatë ndjekjes, si pasojë e shpejtësisë së lartë, personi i armatosur humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe u përplas me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër.

Më pas, ai braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i aksidentit. Shërbime të shumta të policisë vijuan kontrollet në zonë. Pas disa orësh kërkimesh, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit, Forcat Operacionale të Durrësit bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit M. C., alias M. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

“Gjatë kontrollit të territorit, u gjet në një kanal dhe u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, dhe gjatë kontrollit në automjetin tip Range Rover në përdorim nga 28 vjeçari u gjet krehri me municion luftarak.

Nga hetimet paraprake rezulton se 28-vjeçari ka kanosur dy klientë të lokalit dhe ka goditur në kokë, me qytën e pistoletës, pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti” – thuhet në njoftim. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button