AKTUALITETTOP-NEWS

Kriza e ujit në Roskovec, familjet detyrohen të investojnë vetë: Hapin puse për furnizim

RroskovecFshati Ngjeqar, pjesë e Bashkisë Roskovec, vijon të përballet me një problem jetik, mungesën e rrjetit të ujësjellësit për banesat e tij. Në mungesë të një zgjidhjeje nga institucionet, banorët janë detyruar të gjejnë vetë rrugëdalje, duke hapur puse për të siguruar ujin e pijshëm.

Sipas tyre, hapja e një pusi kërkon investime të mëdha financiare. Thellësia e puseve shkon nga 120 deri në 150 metra, ndërsa kostoja arrin deri në 8–10 milionë lekë të vjetra për familje – një barrë e rëndë për ekonominë e tyre.

Banorët shprehen se kanë bërë ankesa të vazhdueshme pranë bashkisë për sigurimin e ujit të pijshëm.

Megjithatë, përgjigjet kanë qenë të njëjta ndër vite, premtime për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, pa u konkretizuar asnjëherë në terren.

Një pjesë e mirë që nuk kanë të ardhura ekonomike kanë shtruar zorra plastike deri 2,5 km largësi më burime dhe përsëri ne 4 muaj të verës mbeten pa ujë në banesa.

“Na është thënë vazhdimisht se do të shtrohet rrjeti, por deri më sot nuk është bërë asgjë. Jemi detyruar ta zgjidhim vetë, sepse uji është jetik,”  shprehen banorët.

Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tkurrjen e popullsisë. Dikur, Ngjeqari numëronte rreth 500 familje të shpërndara në 7 lagje.

Sot, realiteti është krejt ndryshe, në çdo lagje kanë mbetur vetëm 20 deri 30 familje, ndërsa pjesa më e madhe është larguar në kërkim të kushteve më të mira jetese.

Mungesa e infrastrukturës bazë, si uji i pijshëm, po e kthen Ngjeqarin në një fshat që gradualisht po boshatiset, duke ngritur shqetësime serioze për të ardhmen e tij. ALB366

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button