
Ballsh – Një ngjarje e rrallë dhe e pazakontë ka ndodhur në futbollin shqiptar gjatë ndeshjes mes Bylisit B dhe Orikut, e zhvilluar në stadiumin ‘Adush Muçaj’ të Ballshit.
Gjithçka ndodhi në minutën e 43-të të pjesës së parë, kur Bruno Telushi dhe Sulovari u ndëshkuan me karton të kuq nga gjyqtari, duke lënë skuadrat e tyre me nga një lojtar më pak. Situata më pas degjeneroi në tensione dhe përplasje, duke sjellë një ndërhyrje të menjëhershme të forcave të rendit.
Nga pamjet e publikuara, shihet qartë momenti kur Telushi, lojtar i Orikut, shoqërohet nga policia dhe largohet nga fusha drejt fugonit, në një skenë që rrallëherë shihet në stadiumet shqiptare. Për shkak të këtij incidenti, ndeshja u ndërpre për disa minuta para se të rifillonte.
Takimi ishte i vlefshëm për javën e parafundit të Grupit B në Kategoria e Dytë dhe kishte rëndësi për ecurinë e skuadrave në këtë fazë të sezonit.



Ndërkohë, kartoni i kuq i marrë nga Telushi do të ketë pasoja të rëndësishme për ekipin e tij, pasi mesfushori do të mungojë në finalen e rëndësishme ndaj Butrintit.
Situata ka dalë përkohësisht jashtë kontrollit, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të Policisë për të rivendosur rendin.
Gjatë incidentit, është shoqëruar në ambientet e Policisë futbollisti Bruno Telushi, ndërsa nuk dihen ende rrethanat e plota të përfshirjes së tij në përplasje.
Autoritetet po punojnë për të sqaruar shkaqet e ngjarjes, ndërsa pritet një reagim zyrtar lidhur me incidentin dhe masat që do të merren ndaj personave të përfshirë9









