
Edhe këtë vit, në zonat bregdetare ka vijuar rritja e çmimeve të apartamenteve, ku në Ksamil çmimet kanë arritur në nivele të ngjashme me kullat e Tiranës. Ndërtuesit dhe agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi është nxitur nga kërkesa e lartë e blerësve të huaj dhe diasporës që zënë 50% të blerjeve. Por shtimi i ofertës në pasuri të paluajtshme në Jug po përqendrohet kryesisht në zhvillimin e resorteve, të cilat sipas Shoqatës së Ndërtuesve po nxisin edhe shtrenjtim të çmimeve të zonave përreth.
Çmimet e shitjes për apartamentet në disa zona në bregdet kanë arritur në nivele të njëjta me çmimet e kullave në Tiranë. Në projektet e reja që po zhvillohen, veçanërisht te disa zona bregdetare në Jug, sipas agjentëve imobiliarë, apartamentet po ofrohen me çmime të njëjta me ato të kullave në Tiranë.
Agjentja imobiliare, Viola Shehaj-Malaj, pohon se resorti që po zhvillohet në “Gjirin e Manastirit” në Ksamil, ofron apartamente me çmime nga 5,000 deri në 6,000 euro/m².
Pas Ksamilit, çmime të larta shitje mbi 3,000 euro po ofrohen edhe për ndërtimet e reja në Vlorë, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare që nis nga zona e “Ujit të Ftohtë” deri në Radhimë.
Në tregun e shitblerjeve të pronave në zonat premium të Jugut, agjentët e pasurive të patundshme presin shtrenjtim tjetër të çmimeve. Përkatësisht me nisjen e punimeve për tre kulla të reja, secili përkatësisht 22, 27 dhe 37 kate në zonën e Lungomares në Vlorë, çmimet parashikohet të kalojnë 4,500 euro/m².
Për kryetarin e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, z. Erjon Harizi, barazimi i çmimeve të zonave premium të rivierës me zona të ngjashme në Tiranë, po ndikohet nga oferta e kufizuar dhe kërkesa në rritje prej të huajve.
“Në zonat bregdetare, veçanërisht në Jug të vendit, çmimet kanë vijuar të rriten edhe gjatë këtij viti. Në disa zona premium, si Ksamili, Palasa, Dhërmiu apo zona të rivierës së Jugut, çmimet kanë arritur nivele të ngjashme me ato të zonave më të kërkuara të Tiranës.
Kjo tendencë është ndikuar nga disa faktorë kryesorë. Së pari, kërkesa për prona në bregdet është rritur ndjeshëm, jo vetëm nga blerësit vendas, por edhe nga të huajt, emigrantët shqiptarë dhe investitorët që e shohin bregdetin shqiptar si një treg ende me potencial të lartë rritjeje. Së dyti, kostot e ndërtimit janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit, fuqisë punëtore, transportit, energjisë dhe kostove financiare.
Nga ana tjetër, oferta mbetet e kufizuar në disa zona të caktuara, sidomos në segmentet premium ku terreni për të ndërtuar është i kufizuar dhe kërkesat urbanistike janë më të larta. Kur ke një kërkesë në rritje dhe një ofertë të kufizuar, është e natyrshme që çmimet të vazhdojnë të rriten”.
Ky model zhvillimi i tregut të pasurive të paluajtshme në Jug, sipas kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve, po ndikon edhe në rritjen e çmimeve të pronave në zonat përreth.
“Këto projekte sjellin transformim të plotë të zonës ku zhvillohen. Ato rrisin cilësinë e infrastrukturës, përmirësojnë aksesin, shtojnë shërbimet, rrisin sigurinë dhe krijojnë një perceptim tjetër për destinacionin. Si rezultat, rritet jo vetëm vlera e pronave brenda projektit, por edhe e gjithë zonës përreth.
Në tregjet ndërkombëtare, është një praktikë e njohur: sa herë që një zonë fillon të tërheqë marka të njohura hotelerie, marina apo investime strategjike, çmimet e pasurive të paluajtshme rriten ndjeshëm. Kjo po ndodh gradualisht edhe në Shqipëri”, nënvizon z. Harizi.
Në anën tjetër, ai paralajmëron se shtrenjtimi i çmimeve të shitjes në zonat bregdetare do të vijojë.
“Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, edhe pse janë rritur, çmimet në bregdetin shqiptar vijojnë të jenë më të ulëta krahasuar me shumë vende të rajonit si Mali i Zi, Kroacia apo Greqia, sidomos në segmentin e pronave premium buzë detit.
Për këtë arsye, besoj se potenciali për rritje ende ekziston dhe kjo tendencë ka shumë gjasa të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën në vitin 2025 vlerën rekord prej 561 milionë eurosh, duke përbërë mbi 34% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte. Tremujori i fundit i vitit 2025 shënoi nivelin më të lartë me 158 milionë euro, 43% më shumë se një vit më parë.
Rritja e çmimeve i ka bërë pronat një alternativë tërheqëse për investime, sidomos në zonat bregdetare. Në fund të vitit 2025, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme arriti 2.63 miliardë euro, në rritje me 29% krahasuar me vitin e mëparshëm. Dekada e fundit ka shënuar rritje pothuajse 17-fish të stokut, për shkak të flukseve të reja, kursit të këmbimit dhe rritjes së çmimeve./ Monitor











