“Dosja Balluku është dosja Rama”/Berisha: Përdori 83 mandatet për të shpëtuar lëkurën

Gjatë takimit me drejtuesit e degëve të PD-së në Tiranë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj qeverisë për lidhje me krimin dhe vendimmarrje në funksion të interesave personale. Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se vendi po qeveriset nga një grup që, sipas tij, nuk ka legjitimitet dhe është i përfshirë në veprimtari të paligjshme, duke përmendur edhe akuza për porositje vrasjesh ndaj figurave të caktuara në pushtet.
Ai u ndal edhe tek çështja e Belinda Ballukut. Kryedemokrati theksoi se hetimet ndaj saj lidhen drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama. Sipas Berishës, ndërhyrjet në vendimmarrjen parlamentare janë bërë për të mbrojtur qeverinë dhe për të shmangur përgjegjësitë ligjore. Gjatë deklaratës, lideri demokrat kritikoi ashpër mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe proceset zgjedhore.
“Edi Rama përdori 83 mandatet e krimit për ti vënë çelësat asaj dege të pushtetit pa të cilin ndarje të pushteteve nuk ka. Pa të cilën pushteti është në dorën e një njeriu. Edi Rama ndërmori këtë akt dhe pas protestave të fuqishme të opozitës. Edi Rama ndërmori këtë akt edhe pas paralajmërimeve të përsëritura të partnerëve kryesorë në procesin e integrimit. Ai mori një akt in extremis sepse e kuptoi, e realizoi që dosja Balluku është dosja Rama. Njerëzit e lidhur me krimin, diktatorë të të gjithave ngjyrave janë të aftë të marrin çdo lloj vendimi për të shpëtuar lëkurën. Vendim që u ndërmor për të shpëtuar lëkurën e tij.
Shqiptarët pyesin si ka mundësi që ndërmerret një akt i tillë nga parlamenti. U them qytetarëve shqiptarëve pavarësisht nga bindjet e tyre se shqiptarët kanë në krye një bandë më të rrezikshme që ka pasur ndonjëherë. Ka një bandë vrasësish. Qytetarë që kanë porositur vrasje, bazuar në dëshmi në sallat e gjyqeve. Sot rilindas do të thotë kriminel dhe vetëm kriminelë. Ata që i shihni ju dhe rreshtohen në mënyrën më të turpshme pas vendimeve të Edi Ramës, janë njerëz të inkriminuar. Një grup kriminal i tillë është i aftë të marrë çdo vendim. Nuk ka asnjë rastësi në qëndrimet e tyre në parlament. Firmat e tyre janë firma krimi. Kjo është e faktuar përfundimisht. Votat dhe firmat janë ato që kanë vjedhur shqiptarët çdo ditë”, u shpreh Berisha.









