Banorët e Gjorgozit: Prej vitesh pa rrugë dhe pa ujë të pijshëm (foto e video)

Fier – Banorët e fshatit Gjergoz, pjesë e njësisë administrative Cakran në Bashkinë Fier, vijojnë të përballen me vështirësi të theksuara infrastrukturore, duke u ndjerë të braktisur prej më shumë se tre dekadash.
Edhe pse ndodhen pranë Cakranit, mungesa e një rruge funksionale i detyron të ndjekin një itinerar të gjatë dhe të lodhshëm.
Për të marrë një shërbim apo për të zgjidhur një problem, ata duhet të udhëtojnë fillimisht drejt Fierit dhe më pas të kthehen sërish në Cakran.






Shkaku mbetet i njëjtë prej vitesh: një segment rreth 1.5 kilometra në kodrën e fshatit që nuk është ndërtuar kurrë.
Sipas banorëve, që prej viteve ’90, rrugët e brendshme të fshatit janë ndërtuar dhe mirëmbajtur vetëm me kontributin e tyre.
Ata tregojnë se kanë siguruar vetë materialet dhe mjetet e nevojshme, duke paguar deri në 100 mijë lekë të vjetra për familje, ndërkohë që institucionet nuk kanë ndërhyrë asnjëherët.





Problematikat nuk ndalen vetëm te rruga. Edhe furnizimi me ujë të pijshëm mbetet një tjetër shqetësim madhor.
Banorët shprehen se prej pas viteve ’90 janë detyruar ta sigurojnë vetë ujin përmes puseve, depove individuale dhe motopompave.
Edhe pse gjatë zgjedhjeve të majit 2025 është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit në zonë, ai ende nuk është funksional. Lidhja e sahateve të ujit me banesat nuk është realizuar, duke e lënë investimin të papërfunduar dhe pa asnjë ndikim konkret në jetën e përditshme të banorëve.





Me tone ironike, banorët thonë se ndoshta duhet të presin zgjedhjet e radhës që institucionet të kujtohen për ta dhe të përfundojnë investimet e nisura.
Prej më shumë se 35 vitesh, komuniteti i Gjergozit ka mbajtur mbi supe zhvillimin minimal të fshatit, duke ndërtuar vetë rrugët dhe duke siguruar vetë ujin, ndërsa vijon të presë që shteti të marrë përgjegjësitë e tij. ALB365











