Motivet e krimit në Sarandë/ Rexhep Ismaili nuk lejoi rrëmbimin e një personi

Biznesmeni Rexhep Ismaili, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së dielës në Sarandë, rezulton të mos ketë pasur asnjë konflikt të drejtpërdrejtë me autorin e dyshuar të krimit, Lulzim Tabaku, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se ai është përfshirë në ngjarje pasi ka ndërhyrë për të mbrojtur një person që ndodhej në lokalin e tij.
Sipas burimeve hetimore, ngjarja ka nisur kur një grup prej të paktën 10 personash të armatosur kanë mbërritur në lokalin ku ndodhej viktima, me qëllim për t’u përballur me një person tjetër, me të cilin dyshohet se kishin konflikte të mëparshme, kryesisht të lidhura me çështje pronësie.
Hetimet paraprake tregojnë se grupi ka tentuar të marrë me forcë personin në fjalë, ndërsa në atë moment ka ndërhyrë Rexhep Ismaili, i cili mësohet t’u ketë thënë autorëve: “…djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu…”.
Kjo ndërhyrje dyshohet se ka sjellë përshkallëzimin e menjëhershëm të konfliktit dhe më pas shkëmbimin e zjarrit, gjatë të cilit Ismaili ka mbetur i vrarë.
Burime nga policia e Sarandës bëjnë me dije se viktima nuk ishte pjesë e konfliktit fillestar dhe nuk kishte përplasje personale me autorin e dyshuar, por është goditur gjatë agravimit të situatës në ambientet e lokalit.
Në vendngjarje është sekuestruar një automjet që dyshohet se u përkiste autorëve të përfshirë në konflikt. Gjithashtu, nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili nuk është paraqitur në asnjë spital, por dyshohet se është larguar bashkë me Lulzim Tabakun. Të dy vijojnë të jenë në kërkim.
Pas ngjarjes, policia ka ngritur pika kontrolli në akset kryesore dhe po zhvillon kontrolle intensive në zonë për lokalizimin e autorit dhe personave të tjerë të përfshirë. Paralelisht, po kryhen verifikime në spitalet rajonale dhe klinikat private për identifikimin e personit të plagosur.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se Lulzim Tabaku mund të jetë larguar në drejtim të Greqisë, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në konfliktin e armatosur.









