BOTATOP-NEWS

Studentët protestë për gjuhën shqipen në Maqedoni, heshtje në Tiranë dhe Prishtinë

Mijëra studentë shqiptarë protestuan në Shkup kundër mohimit të së drejtës për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, mes tensioneve me policinë maqedonase dhe heshtjes së Tiranës e Prishtinës zyrtare ndaj kërkesave të tyre.

Mijëra studentë shqiptarë mbushën rrugët e Shkupit në kërkim të së drejtës së tyre të mohuar për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, përmes një organizimi që u mbështet nga studentë të tjerë të qyteteve të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në kufi, autoritetet maqedonase e vështirësuan kalimin e studentëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, e pavarësisht këtyre ata arritën t’i bashkohen të rinjve në një tubim që duket se e ka dhënë mesazhin për forcat politike në qeverinë e Maqedonisë.

Marshimi u zhvillua paqësisht por nën një klimë tensioni. Një moment gjatë lëvizjes, një grup tentoi ta udhëhiqte marshimin e studentëve me parrullën e UÇK, por u largua nga vetë protestuesit.

Duhet kujtuar se dy ditë më parë qarkulloi një video paralajmëruese e forcave speciale maqedonase e filmuar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, kur efektivë të irrituar bërtisnin në kor “Këtu ka vetëm Maqedoni”.

Pas protestës, tre studentë shqiptarë u shoqëruan përdhunshëm nga forcat policore për arsye që mbeten ende të paqarta. Arrestimet ndodhën kur tubimi kishte mbaruar dhe studentët po shpërndaheshin paqësisht.

Ashtu siç pritej kryefjalë e mijëra të rinjve në rrugët e Shkupit ishin të drejtat e mohuara të shqiptarëve, shkeljet e marrëveshjes për përdorimin e gjuhës shqipe dhe kundërshtimi i diskriminimit në tërësi të shqiptarëve.

Studenti Mevlan Ademi i drejtoi një mesazh ministrit të drejtësisë duke i thënë se karrigen e tij të mos e marrë për të mirëqënë, se ne “jemi për barazi dhe respekt”, dhe të gjithë bashkë do të kërkojmë të drejtat tona.

“Herën e fundit u ankuan për flamurin shqiptar, ju lutem sot ta ngrini sa më lart flamurin shqiptar. Ne vijmë të protestojmë në mënyrë paqësore. Studentët shqiptarë nga Tirana po dërgohen me dhunë në Kumanovë, ndërkohë që protesta po mbahet në Shkup. Ne po dalim të protestojmë në mënyrë paqësore, por po provokohemi gjatë rrugës. Polici, edhe ju duhet të na mbroni. Së bashku shqiptarë, bijtë e shqiponjës, në një kauzë të pandarë, përjetësisht jemi krenarë”, u shpreh organizatori Mevlan Ademi.

protesta,Një tjetër student i bëri thirrje ministrit të Drejtësisë të japë dorëheqjen, duke theksuar se “shqiptarët nuk do të lodhen së kërkuari të drejtat e tyre. Sa më shumë të injorohet zëri i studentëve, do të rritet revolta. Ne rebelohemi kur na mohohet e drejta”.

Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Igor Fillkov

Por mesazhet që erdhën nga autoritetet maqedonase për studentët krijojnë konfuzion. Fillimisht, ministri i drejtësisë, Igor Fillkov tha se nuk do të lejohej gjuha shqipe në provime dhe se “Kushtetuta nuk është temë për emisione televizive… Çdo gjë tjetër është presion. Dhe kjo nuk do të kalojë”, u shpreh ai. Sipas Fillkovit “nuk ka provim në gjuhën shqipe”. Ai deklaroi se debati tashmë është i mbyllur dhe se nuk ka më hapësirë për komente shtesë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, me bashkëkryetarët e VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, me bashkëkryetarët e VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami

Ndërkohë një mesazh tjetër u duk se erdhi nga politikanët e koalicionit VLEN që u takuan me kryeministrin, Hristijan Mickoski. “Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira”, shkruajti zv.kryeministri Izet Mexhiti pa dhënë një datë apo një afat konkret.

Mesazhi i Mickoskit ndërkohë ishte më i ftohtë. “Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dija përbëjnë themelin e çdo shteti modern dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet po punojnë aktivisht në gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me qëllim sigurimin e sigurisë juridike dhe funksionalitetit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Deri më tani autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk kanë dhënë shenja se do të pranojnë kërkesat e studentëve, por ajo që lë një shije të hidhur në këtë situatë është heshtja e Tiranës dhe e Prishtinës zyrtare. Asnjë mesazh, asnjë fjalë dhe asnjë sinjal nga dy qeveritë e dy shteteve shqiptare që në kohë të fushatave zgjedhore bëhen palë dhe nuk e kanë tabu ndërhyrjen në punët e tjetrit.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se ka udhëtuar larg drejt Koresë së Jugut me bashkëshorten e tij, Lindën për takime me homologun e Koresë së Jugut. I entuziasmuar, Rama njoftoi se do të takojë edhe CEO-n e Samsung-ut.

Protestës i kanë shprehur mbështetje liderë të shumtë politikë nga Kosova, me përjashtim të Albin Kurtit. Në radhët e politkanëve të Kosovës që kanë reaguar ishin kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, Fatmir Limaj, Vjosa Osmani etj. Në mesazhin e tij, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e quajti heshtjen ndaj diskriminimit bashkëfajësi dhe bëri thirrje për unitet mbarëshqiptar.

“Heshtja përballë diskriminimit është bashkëfajësi. Prandaj, sot është koha që të gjithë shqiptarët, pa dallim partie, ideologjie apo vendbanimi, të qëndrojnë krah studentëve”, tha Rama./Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button