LIFE STYLE

Nëse ai sillet si ‘playboy’ dhe të bën të ndihesh e pavlerë, nisi këtë artikull

Të dashura zonjusha (apo zonja), lini gjithçka që jeni duke bërë dhe lexoni me kujdes artikullin në vijim.

Një studim ka ngritur një diskutim të fortë mbi lidhjen mes mizogjinisë dhe shëndetit mendor te burrat. Sipas kërkimit, meshkujt që përqafojnë ide të ngurta mbi “maskulinitetin tradicional”, si dominimi ndaj grave, nevoja për kontroll apo sjellja tip “playboy”, kanë më shumë gjasa të përballen me probleme psikologjike dhe emocionale.

Thënë ndryshe, meshkujt që ju bëjnë të ndiheni keq me veten, nuk ju japin dashuri dhe vazhdimisht ju bëjnë të ndiheni sikur s’jeni mjaftueshëm, kanë gjasa t’i përkasin grupimit për të cilin do të lexoni në vijim.

Studimi, i publikuar në Journal of Counseling Psychology, analizoi 78 kërkime të ndryshme me afro 20 mijë pjesëmarrës. Studiuesit nga Universiteti i Indianës shqyrtuan lidhjen mes normave tradicionale mashkullore dhe shëndetit mendor, duke u fokusuar te sjellje si dëshira për pushtet, kontroll emocional, marrja e rrezikut dhe dominimi ndaj grave. Rezultatet treguan se burrat që identifikoheshin më shumë me këto modele kishin nivele më të larta stresi, depresioni dhe probleme të tjera psikologjike.

Një nga gjetjet më të forta lidhej me burrat që besonin se duhej të kishin pushtet mbi gratë ose që i shihnin marrëdhëniet vetëm si një mënyrë për të ushqyer egon dhe statusin personal. Sipas studiuesve, këta persona kishin më shumë gjasa të raportonin probleme të vetëvlerësimit dhe vështirësi emocionale, por njëkohësisht ishin edhe më pak të prirur të kërkonin ndihmë psikologjike.

Ekspertët theksojnë se kjo nuk justifikon aspak sjelljen toksike apo abuzive ndaj grave. Përkundrazi, studimi nënkupton se standardet e dëmshme të “ultra-maskulinitetit” mund të lëndojnë jo vetëm gratë, por edhe vetë burrat që përpiqen t’u përmbahen atyre.

Megjithëse studiuesit nuk arritën të përcaktojnë nëse problemet e shëndetit mendor çojnë drejt sjelljeve mizogjine apo ndodh e kundërta, lidhja mes të dyjave rezultoi e qartë. Sipas tyre, edukimi i brezave të rinj me modele më të shëndetshme të mashkullorësisë mund të jetë një hap i rëndësishëm për të reduktuar sjelljet toksike dhe pasojat që ato sjellin në marrëdhënie dhe shoqëri.

Ndaj, herët e tjera, kur një burrë përpiqet t’ju ulë, mbani mend se problemin e ka me veten dhe jo me ju.

Po ashtu, mbajeni këtë artikull diku në notes dhe nisjani “atij”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button