Varibopi pa ujë në mes të burimeve. Banorët: Furnizohen Fieri dhe Patosi, ndërsa ne vuajmë për një pikë ujë

Cakran – Afro 110 familje të lagjeve Dautaj dhe Alibej në fshatin Varibop të Fierit po përballen prej vitesh me mungesën e ujit të pijshëm gjatë sezonit të verës. Sipas banorëve, problemi nis në muajin prill dhe zgjat deri në fund të tetorit, duke e bërë jetën e tyre të përditshme tepër të vështirë.
Paradoksi, sipas tyre, është se tubacioni kryesor i ujësjellësit kalon pranë fshatit me presion të lartë, ndërsa banesat e tyre mbeten pa furnizim. Banorët tregojnë se ujësjellësi hap linjën për rreth dy orë në ditë me qëllim mbushjen e depos kryesore të fshatit, por kjo sasi nuk mjafton për të furnizuar të gjithë banorët.
Ata shprehen se nga puset e Varibopit furnizohen me ujë të pijshëm edhe Bashkia Fier dhe Bashkia Patos, ndërkohë që vetë banorët e zonës mbeten pa ujë në çezmat e tyre për muaj të tërë.










Sipas tyre, një tjetër problem serioz janë lidhjet e paligjshme në tubacionin magistral. Banorët pretendojnë se gjatë verës persona të papërgjegjshëm ndërhyjnë në rrjet dhe e përdorin ujin për vaditjen e tokave bujqësore dhe ullishtave, duke ulur ndjeshëm sasinë e ujit që duhet të shkojë drejt fshatit. Në dimër na çahen tubot nga presioni i ujit ndërsa në verë nuk kemi pikën e ujit, thonë ata.
Për këtë arsye, ata kërkojnë ngritjen e një task-force që të kontrollojë tubacionin kryesor, të evidentojë dhe eliminojë lidhjet e paligjshme, në mënyrë që furnizimi me ujë të përmirësohet gjatë muajve të nxehtë.
Një nga banorët propozon që në fund të fshatit të vendoset një saracineskë në tubacionin magistral. Sipas tij, gjatë orëve kur hapet linja, saracineska do të mundësonte mbushjen e depos kryesore të fshatit dhe shpërndarjen më të mirë të ujit për banorët.




Përveç mungesës së ujit, banorët ankohen edhe për mungesën e investimeve në infrastrukturë. Ata thonë se janë pagues të rregullt të taksave vendore, por prej vitesh nuk kanë parë investime në rrugë, kanalizime, ndriçim publik dhe veçanërisht në sistemin e ujësjellësit.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe ndërmarrjes së ujësjellësit që të marrin masa urgjente për zgjidhjen e problemit, pasi mungesa e ujit të pijshëm gjatë sezonit të verës po kthehet në një shqetësim të përvitshëm për qindra familje të Varibopit./ALB365









