AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Pushtimi i heshtur i karkalecave në Tërbuf: 600 hektarë të shkatërruar, fermerët denoncojnë mungesën e ndërhyrjes së shtetit.

Lushnje – Në zemër të një prej zonave më të rëndësishme bujqësore të vendit, në fushën e Tërbufit, po zhvillohet prej pesë vitesh një dramë e heshtur që nga viti në vit po u shkakton fermerëve humbje të mëdha ekonomike. Kolonitë e karkalecave kanë pushtuar sipërfaqe të tëra të mbjella, duke kthyer në tokë të zhveshur mundin dhe investimin e dhjetëra familjeve fermere.

Të prekura janë fshatrat Pluk, Tërbuf, Ferras, Tri Urat, Spolatë dhe Grabjan, ku rreth 600 hektarë tokë bujqësore, kryesisht me jonxhë, por edhe me misër, fasule, shalqi dhe kultura të tjera, sulmohen çdo sezon nga insektet dëmtuese që gllabërojnë çdo gjelbërim.

Fermerët thonë se janë në një betejë të pabarabartë. Përballja me karkalecat kërkon spërkatje të vazhdueshme dhe preparate të kushtueshme, kosto që shumë prej tyre nuk mund ta përballojnë. Madje, sipas tyre, edhe preparatet e përdorura nuk kanë dhënë gjithmonë efektin e pritur.

Për katër vite me radhë, strukturat shtetërore të mbrojtjes së bimëve kanë ndërhyrë me mbështetje logjistike, mjete bujqësore dhe preparate për trajtimin e sipërfaqeve të prekura. Por këtë vit, fermerët ngrenë alarmin se ndihma ka munguar plotësisht, ndërsa karkalecat kanë nisur sërish sulmin ndaj kulturave bujqësore.

Pasojat e këtij dëmtimi nuk ndalen vetëm tek humbja financiare e fermerëve. Mungesa e jonxhës pritet të godasë edhe sektorin e blegtorisë, duke krijuar vështirësi për sigurimin e bazës ushqimore të bagëtive në muajt e ardhshëm.

Edhe pse specialistët e mbrojtjes së bimëve pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë Vlorë, që mbulon edhe Lushnjen, deklarojnë se situata është nën monitorim, fermerët japin një panoramë krejt tjetër nga terreni. Ata thonë se deri tani nuk kanë parë asnjë ndërhyrje konkrete dhe kërkojnë që institucionet të zbresin në terren përpara se dëmi të bëhet i pakthyeshëm.

Mes arave të dëmtuara dhe kulturave që po zhduken dita-ditës, fermerët e Tërbufit pyesin: a do të ketë një reagim kur të jetë ende kohë për të shpëtuar prodhimin, apo do të numërohen vetëm dëmet në fund të sezonit?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button