Bizneset në plazhin e Semanit: Taksa për 6 muaj, punë vetëm 2 muaj e gjysmë! Mungojnë investimet, rruga dhe shërbimet

Edhe këtë sezon turistik, bizneset që operojnë në plazhin e Semanit ngrenë shqetësimin për mungesën e investimeve dhe barrën e lartë fiskale. Sipas administratorëve të rreth 20 bizneseve sezonale, ata paguajnë taksa për gjashtë muaj, ndërkohë që aktivitetin e zhvillojnë realisht vetëm për rreth dy muaj e gjysmë.
Ata shprehen se pagesat ndaj bashkisë nisin më 15 maj, por plazhi bëhet i shfrytëzueshëm vetëm në fillim të muajit korrik, pasi hapja e grykëderdhjes (gjolit) vonohet çdo vit. Për këtë arsye, sezoni turistik zgjat shumë më pak se periudha për të cilën paguhen detyrimet.
Një tjetër problem i madh mbetet infrastruktura. Rruga që të çon drejt plazhit është tepër e ngushtë, duke e bërë të vështirë kalimin e dy automjeteve njëkohësisht. Sipas bizneseve, kjo ka shkaktuar përplasje mes mjeteve, dëmtime të gomave dhe dalje nga rruga.





Administratorët theksojnë gjithashtu se mungojnë investimet bazë. Furnizimin me ujë e sigurojnë vetë, ndërsa energjia elektrike është i vetmi shërbim që ofrohet. Sipas tyre, bashkia nuk ka ndërhyrë për të përmirësuar kushtet e plazhit.
Edhe plazhi publik vijon të ketë mungesa të shumta. Nuk ofrohen tenda, kabina zhveshjeje apo tualete publike, ndërsa pushuesit ankohen se pastrimi i plazhit këtë vit ka qenë i pjesshëm dhe jo në të gjithë vijën bregdetare.




Një shqetësim serioz mbetet edhe një gropë e madhe pranë zonës së plazhit, e cila, sipas bizneseve, nuk është sinjalizuar me tabela apo barriera paralajmëruese. Ata thonë se gjatë mbrëmjes disa pushues kanë rënë në të për shkak të mungesës së ndriçimit dhe sinjalistikës.
Bizneset sezonale kërkojnë nga Bashkia Fier ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e infrastrukturës, uljen e barrës fiskale dhe krijimin e kushteve minimale për zhvillimin e turizmit, duke theksuar se pa investime, plazhi i Semanit po humbet çdo vit vizitorë dhe potencialin e tij turistik ose ta shpallin të mbyllur./ALB365









