
Zhdukja misterioze e një shtetaseje kineze në Greqi ka nxjerrë në dritë lidhjet e saj me investime dhe transaksione të dyshimta në Shqipëri. Yu Ting, 50 vjeçe, rezulton e zhdukur prej datës 20 maj dhe autoritetet greke po hetojnë disa pista, përfshirë edhe ato me sfond kriminal.
Sipas mediave greke, mëngjesin e 20 majit, Yu Ting u largua nga banesa e saj në Artemida rreth orës 10:05, me destinacion qendrën e Athinës. Familjarët kanë deklaruar se ajo do të mblidhte qiratë e disa apartamenteve që administroheshin për klientë të pasur kinezë. Gjurmët e saj humbën menjëherë pasi zbriti nga autobusi dhe që prej asaj dite nuk ka asnjë informacion për fatin e saj.
Bashkëshorti: Ose është rrëmbyer, ose është vrarë
Bashkëshorti i saj grek, Vasilis Karavasilis, është shprehur se nuk beson që gruaja të jetë larguar me dëshirën e saj.
“Nuk mund të jem i sigurt nëse ajo është gjallë apo jo. Nuk ka asnjë provë që të çon në një përfundim të qartë. Është e pamundur të jetë larguar me vullnetin e saj,” deklaroi ai për mediat greke.
Leje qëndrimi në Shqipëri dhe interesi për ujin e Bogovës
Një nga elementët që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është aktiviteti i Yu Ting në Shqipëri.
Më 17 janar 2026, ajo ishte pajisur me leje qëndrimi njëvjeçare nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Vlorë, për shkak të interesit të saj për investime në vend.
Sipas një agjenteje shqiptare të pasurive të paluajtshme, një grup investitorësh kinezë po shqyrtonte mundësinë e ndërtimit të një impianti për ambalazhimin e ujit në zonën e Bogovës.
“Një klient nga Kina kërkonte një burim uji shumë cilësor në Shqipëri për ndërtimin e një fabrike të shisheve të ujit. Yu Ting kishte ardhur dy herë për ta parë vendin, por projekti nuk avancoi”, deklaroi agjentja për televizionin grek “MEGA”.

Takime me shqiptarë dhe kërkime për prona
Katër ditë para zhdukjes, Yu Ting mori pjesë në një takim ku ndodheshin një agjente shqiptare e pasurive të paluajtshme, një shtetas kinez, një prift dhe një ish-oficer policie.
Prifti, i cili dëshmoi për mediat greke, tha se arsyeja e takimit ishte diskutimi për prona dhe investime.
Ai tregoi se agjentja shqiptare ia kishte prezantuar Yu Ting si përfaqësuese të disa biznesmenëve të pasur kinezë, të interesuar për blerjen e tokave, hoteleve dhe pasurive të ndryshme në Greqi dhe Shqipëri.
Ndërkohë, vetë agjentja shqiptare konfirmoi se bashkëpunonte me Yu Ting që prej vitit 2022 dhe se gjatë kësaj kohe u kishin prezantuar investitorëve kinezë mbi 20 prona, por asnjë transaksion nuk ishte finalizuar.
Motra: Donte të shkonte sërish në Shqipëri
Edhe motra e 50-vjeçares ka konfirmuar lidhjet e saj me Shqipërinë.
Ajo deklaroi për mediat greke se Yu Ting kishte marrë leje qëndrimi njëvjeçare në Shqipëri dhe në bisedën e fundit, më 29 prill, i kishte treguar se planifikonte të udhëtonte drejt vendit tonë për të parë disa parcela toke për investime.
Dyshime edhe për mashtrim financiar
Paralelisht me hetimet për zhdukjen, emri i Yu Ting ka dalë edhe në një tjetër çështje.
Një shtetase kineze pretendon se është mashtruar nga Yu Ting dhe partneri i saj gjatë një marrëveshjeje për blerjen e një pike karburanti në qendër të Athinës.
Sipas saj, kishte investuar rreth 100 mijë euro, të marra hua nga të afërm dhe miq, por marrëveshja nuk u realizua dhe paratë nuk iu kthyen.
Ndërsa kërkimet për Yu Ting vijojnë, autoritetet greke po hetojnë të gjitha pistat, duke përfshirë aktivitetin e saj ekonomik në Greqi dhe Shqipëri, kontaktet me biznesmenë dhe ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, si edhe transaksionet që ajo kishte ndërmarrë muajt e fundit.










