AKTUALITET

Zjarri mes Asim Zenelit, Antigones dhe Saraqinishtës vihet nën kontroll pas 6 orësh, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Zjarri që përfshiu mbrëmjen e së premtes zonën mes fshatrave Asim Zeneli, Antigone dhe Saraqinisht u vu nën kontroll vetëm pas rreth gjashtë orësh pune intensive nga forcat e MZSH Gjirokastër.

Alarmi për flakët u dha në orën 22:50, ndërsa terreni i vështirë, i mbuluar me shkurre, bar të thatë dhe bimësi të dendur, e bëri ndërhyrjen veçanërisht të vështirë.

Në operacion morën pjesë efektivët e MZSH Gjirokastër, zjarrfikës të angazhuar me kontratë të përkohshme, si dhe forca vullnetare të Bashkisë Gjirokastër. Pas një pune të pandërprerë, zjarri u shua plotësisht në orën 04:45.
Si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me barishte dhe shkurre.

Sipas vlerësimeve paraprake, ekzistojnë dyshime se zjarri është vendosur qëllimisht, pasi janë konstatuar katër vatra të ndryshme zjarri. Organet ligjzbatuese kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button