Zjarret vijojnë në Mallakastrën e Egër, riaktivizohet vatra në Panahor

Zjarret vijojnë në Mallakastrën e Egër, riaktivizohet vatra në Panahor – flakët avancojnë drejt Greshicës
Vijon puna në terren për izolimin e dy vatrave të zjarrit që kanë përfshirë zonën e Mallakastrës së Egër. Ekipet po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve, ndërsa terreni i thepisur dhe era e fortë po vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen.
Një prej vatrave është riaktivizuar në zonën e Panahorit, ndërsa flakët tashmë po avancojnë edhe në drejtim të Greshicës, duke rritur shqetësimin për përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Vatra tjetër vijon të jetë aktive në zonën mes fshatrave Drenije të bashkisë Patos dhe Vlosht të bashkisë Roskovec, dy fshatra që ndodhen ngjitur me njëri-tjetrin.
Të dyja vatrat janë përqendruar në kodrat e thepisura të zonës, të njohur si “Mallakastra e Egër”, ku kushtet atmosferike, veçanërisht era e fortë, favorizojnë përhapjen e flakëve.
Forcat në terren vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave dhe parandalimin e avancimit të zjarrit drejt zonave të banuara.









